Ditën e djeshme kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku nisi vizitën e saj në Kosovë ndërsa takimet e para i kreu me kryetarin e LDK, Lumir Abdxhikun.
Në praninë e kolegëve demokratë dhe njëkohësisht anëtarëve të Komisionit të Integrimit, Açka dhe Çollaku, Tabaku diskutoi me kryetarin Abdixhiku mbi çështjet prioritare të Kosovës.
Më tej të tre përfaqësuesit e PD iu drejtuan varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë ku kryen homazhet përkatëse në varrin e Ibrahim Rugovës dhe heronjve të tjerë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Takimet e radhës ishin ato me Komisionin e Integrimit Europian në Parlamentin e Kosovës. Në të zonja Tabaku u shpreh për domosdoshmërinë e ngritjen e një ekipi të përbashkët teknik për të forcuar edhe më tej rrugëtimin Europian që duhet të ketë Kosova dhe Shqipëria.
Në takim u diskutuan edhe një koordinim më i mirë në lidhje me përfaqësimin e Kosovës dhe përpjekjen për të përfshirë Kosovën në organizatat e BE si COSAC.
Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Konjufca, diskutimet qenë të lidhura me çështjen e integrimit dhe njëkohësisht temën e nxehtë sot në Kosovë, çështjen e raporteve me Serbinë.
Tabaku u shpreh se “Ne do të mbështesim çdo vendim të marrë nga elita politike e Kosovës. Ne, vazhdoi ajo, jemi vëllezër por askush nuk hyn në punët e shtëpisë së vëllait. Ajo u shpreh se fati i Ballkanit Perëndimor është ai në BE dhe se rritja e pranisë amerikane dhe europiane në rajon e ka forcuar edhe më shumë projektin e një rajoni në BE.
Më tej ajo shprehu domosdoshmërinë që BE të finalizojë procesin e liberalizimit të vizave.”Rajoni ka nevojë për një Kosovë pa viza dhe vetë BE ka nevojë për një Kosovë pa viza”, u shpreh Tabaku.