Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pritur sot në një takim kreun e ri të Pranisë së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Guido De Sanctis.
Kreu i shtetit shkruan se nga takimi i zhvilluar ka theksuar se ‘partitë politike dhe subjektet e tjera konkurruese të demonstrojnë vullnet të qartë për të respektuar ligjin dhe një konkurrencë të ndershme dhe se dialogu politik është i domosdoshëm për të çuar vendin përpara’.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është një partner i rëndësishëm dhe bashkëpunues në përballimin e sfidave që lidhen me konsolidimin e shtetit ligjor, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirinë dhe profesionalizmin e medias, antikorrupsionin dhe shumë fusha të tjera.
Në takimin e sotëm me Kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Guido De Sanctis, vlerësova rolin e deritanishëm të kësaj organizate si dhe transformimin e fokusit të bashkëpunimit hap pas hapi.
Theksova se është shumë e rëndësishme që partitë politike dhe subjektet e tjera konkuruese të demonstrojnë vullnet të qartë për të respektuar ligjin dhe një konkurrencë të ndershme dhe se dialogu politik është i domosdoshëm për të çuar vendin përpara, shkruan presidenti Begaj.