Sokol Paja
Partia “Lëvizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-së, në bashkëpunim me familjen Kupi, miq, media, veprimtarë, patriotë të spikatur në diasporë, organizata e shoqata në Amerikë, u mblodhën te varri i Gjeneral Abas Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens New York; për të përkujtuar 47 vjetorin e vdekjes së një prej udhëheqësve më të shquar të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, i zbardhi faqen Shqipërisë më 7 Prillin e 1939-tës, themeluesit të Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit dhe kryetarit të nderit të saj, Gjeneral Abas Kupit.
Takimin përkujtimor e hapi Hakik Mena Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit Dega SHBA dhe Ahmet Hoti nënkryetar i kësaj partie. Avokat Ilir Kukaj, ish-kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit Dega Shkodër në fjalën kryesore të aktivitetit përkujtimor të lexuar nga Isuf Kurti theksoi ndër të tjera se qëndresa e organizuar dhe drejtuar nga Gjeneral Abaz Kupi më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist i tregoi mbarë opinionit ndërkombëtar se shteti shqiptar nuk e pranoi pushtimin fashist por shqiptarët ishin të parët që kundërshtuan këtë pushtim. Me këtë qëndresë Gjeneral Abas Kupi jo vetëm zbatoi detyrën e ngarkuar nga Mbreti Zogu I, por e pozicionoi shtetin Shqiptar në krahun e shteteve dhe aleatëve antifashistë që më 7 prill 1939 dhe jo më pas siç është pretenduar nga komunistët shqiptarë.
Më tej në fjalën e tij thuhet se e gjithë jeta e Gjeneral Abaz Kupit pasqyron idealet por dhe cilësitë më të dalluara të kombit shqiptar : Kontributi i jashtëzakonshëm për rivendosjen e Monarkisë si një e drejtë legjitime dhe dinjiteti për shqiptarët dhe Shqipërinë. Bashkimi i shqiptarëve pavarësisht bindjeve politike por dhe bashkimi i trojeve shqiptare, dashuria dhe sakrifica deri në vetmohim për atdheun, Lufta pa kompromis kundër pushtuesit nazi-fashist, shmangia e vëllavrasjes ndërmjet shqiptarëve, lufta jo vetëm kundër vendosjes së komunizmit por edhe rrëzimit të tij si një ideologji që iu imponua shqiptarëve kundër vullnetit të tyre, thuhet në fjalën përshëndetëse të z.Kukaj. Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit në Shqipëri Shpëtim Axhami në fjalën përshëndetëse lexuar nga Hakik Mena ndër të tjera tha se duke nderuar figurën e gjeneral Abaz Kupit, nderoni veten tuaj, familjet tuaja e të gjithë neve duke dhënë gjithashtu një mesazh per brezat e ri, se historia është ndryshe dhe jo ajo që u shkruajt prej komunizmit. Legalistët në SHBA, përgjatë pushtimit komunist në Shqipëri e në vazhdimësi, kanë mbajtur gjallë frymën mbretërore-zogiste dhe kanë kontribuar jo pak për çështjen kombëtare. Gjeneral Asllan Bushati në fjalën e tij e cilësoi Abas Kupin luftëtar, njeri me prirje dhe cilësi të veçanta, prijës dhe idealist i madh i çështjes dhe interesit kombëtar.
Editori i Diellit përshëndeti në emër të Vatrës e Diellit duke theksuar se nderimi për Gjeneral Abas Kupin është nderim për historinë tonë kombëtare. Ndrec Gjergji, figurë e shquar e Legalitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndeti të pranishmit dhe i falenderoi për organizimin e këtij tubimi kombëtar në respekt të një prej personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar. Në emër të familjes Kupi përshëndeti dhe falenderoi Sokol Kupi i cili shprehu mirënjohjen në emër të familjes për nderimin që iu bë Gjeneral Abas Kupit. Ceremonia përkujtimore përfundoi me vendosjen e kurorave me lule pranë varrit ku prehet në paqen e përjetshme Gjeneral Abas Kupi.