Shkolla e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë është renditur ndër institucionet arsimore me nivelin më të lartë të rrezikut për sigurinë, sipas një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që evidenton problematikat në shkollat parauniversitare.
Dokumenti, i përcjellë Ministrisë së Arsimit, nxjerr në pah një situatë shqetësuese në këtë institucion arsimor, ku janë regjistruar 8 incidente vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2026, numri më i lartë mes shkollave të përfshira në tabelën e institucioneve me përsëritje ngjarjesh.
Problematikat nuk janë mbyllur me përfundimin e vitit shkollor. Edhe gjatë muajit shtator është regjistruar një tjetër incident në “Qemal Stafa”, duke e mbajtur shkollën në vëmendjen e strukturave të sigurisë.Në vlerësimin e Policisë, “Qemal Stafa” është klasifikuar me prioritet shumë të lartë, së bashku me shkollën “Profesionalja”, e cila gjithashtu është renditur në kategorinë e institucioneve që kërkojnë ndërhyrje të posaçme.
Në tërësi, gjatë periudhës 14-30 shtator 2026, Policia ka evidentuar 36 ngjarje dhe incidente në institucionet arsimore parauniversitare. Shqetësues është fakti se 55.6% e tyre janë regjistruar në perimetrin e shkollave, ndërsa 36.1% brenda ambienteve të institucioneve arsimore dhe 8.3% në hapësirat elektronike dhe online.
Një tjetër element problematik është përqendrimi i incidenteve në turnin e dytë. Sipas raportit, 58.3% e ngjarjeve janë regjistruar gjatë këtij turni, duke e identifikuar atë si periudhën me ekspozimin më të lartë ndaj problematikave të sigurisë.




