Jakup Hasani, nipi i 60-vjeçarit Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” ose “Seli i Matit”, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të marte në spital, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë atentatit të së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë nga hetimet, të cilat ngrenë dyshime se atentati ndaj xhaxhait dhe nipit ishte planifikuar paraprakisht.
Autorët e atentatit në Fier kanë përdorur dy pistoleta me silenciator dhe dy persona kanë pasur rolin e qitësave ndërsa njëri të shoferit.
Sel Çami dhe nipi i tij Jakup Hasani kanë qenë në oborrin e banesës së tyre duke punuar tokën. Të paktën 10 gëzhoja kalibër 9 mm janë gjetur në vendngjarje. 3 plumba ka marrë Jakup Hasani dhe të paktën 5 plumba Sel Çami.
Autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar dhe të kamufuluar me uniforma policie me qëllim që të futeshin me lehtësi në lagjen “1 maji” në Fier pa u vënë re me hije dyshimi, por ky informacion ende nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia.
Hyrja në mënyrë të tillë në lagjen “1 maji” në Fier mund të ketë ardhur pasi është një ndër lagjet më të monitoruara nga grupet kriminale për shkak të përplasjeve mes grupeve rivale. Kudo në lagjen “1 maji” ka kamera sigurie dhe autorët kanë kryer çdo veprim pa lënë gjurmë dhe pa bërë zhurmë, prandaj kanë përdorur pistoleta me silenciator, të cilat u gjetën në automjetin e djegur “Volvo” të përdorur në krim.
Ndërkohë po hetohet edhe pista se autorët kanë mbajtur në survejim dhe monitorim Sel Çamin me dron, ka dyshime të forta se mund të jetë vëzhguar më dron nga autorët dhe kanë pritur momentin që ka dalë nga banesa në oborr, pasi Sel Çami ruhej dhe qëndronte vetëm në bazën e tij në lagjen 1 maji.



