Prokuroria e Beratit ka vënë sekuestro mbi 12 pasuri të paluajtshme dhe dy automjete Mercedes-Benz që i përkasin Donald Lavdarit dhe familjarëve të tij.
Masa u mor me kërkesë të prokurorisë nga gjykata në kuadër të një hetimi për pastrim parash nga veprimtaria kriminale.
Lavdari është dënuar në Spanjë dhe Greqi për trafik drogash dhe ndodhet në Spanjë që nga viti 2017.
Prokuroria dyshon se fitimet nga ky aktivitet janë investuar në Poliçan në dyqane, apartamente, automjete dhe biznese ushqimore e kafenesh.
Analiza financiare për vitet 2005–2016 tregon se të ardhurat e deklaruara të tij dhe të familjarëve nuk mbulonin shpenzimet dhe investimet, ndërsa në shkurt 2020 ai ishte një nga personat të cilëve Operacioni Forca e Ligjit u kërkoi të justifikonin pasuritë.



