Rreth 17.7 milionë euro u gjetën të groposura nën tokë dhe të fshehura në ndërtesa dhe depo të ndryshme Hungarisë.
Paratë dyshohet se i përkasin ish-ministrit të Zhvillimit, Miklos Sesztak, i cili akuzohet për korrupsion.
Në pamjet e publikuara shihen autoritetet duke gërmuar me lopata në pyll për të nxjerrë paratë e groposura, ndërsa në imazhe të tjera dokumentohet sekuestrimi i shumave të mëdha të parave të gatshme.
Vlera e përgjithshme e parave të sekuestruara llogaritet në rreth 19.5 milionë dollarë. Autoritetet konfirmuan se paratë janë depozituar në llogarinë e Thesarit të Shtetit Hungarez.
Ministri i Financave, András Kármán, bëri të ditur se 12 punonjës të Thesarit u angazhuan për tetë orë për numërimin e parave, duke përdorur pesë makina numërimi.
Hetimi vjen pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku Péter Magyar fitoi zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. Gjatë fushatës, Magyar kishte premtuar hetimin e dyshimeve për korrupsion dhe abuzim me detyrën gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.
Në javët e fundit, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj figurave të tjera të lidhura me ish-qeverinë. Sipas raportimeve, dy ish-ministra të tjerë të periudhës së Orbán dhe vëllai i ish-kryeministrit janë përfshirë në hetime të ndryshme.
Kryeministri Péter Magyar e përshëndeti sekuestrimin e parave, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar korrupsionin.



