Deputeti socialist Erion Braçe, ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara sipas tij prej pesë ditësh në portale dhe media online, sipas të cilave ai është përfshirë në një pazar politik me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe për t’u tërhequr nga pretendimi për të kandiduar në Bashkinë e Tiranës.
Përmes një video-live të publikuar në rrjetet sociale, Braçe ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar sulmet ndaj tij si një fushatë linçimi në internet.
Ai ka theksuar se votat e marra ndër vite në Qarkun e Tiranës, në diasporë dhe në Bashkinë e Tiranës nuk i ka përdorur asnjëherë për pazare apo interesa personale.
Braçe ka theksuar se karriera politike nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë një çështje karrigesh për të, duke nënvizuar se prioriteti i tij mbetet puna.



