Gazetari Lavdrim Lita kritikoi idenë për krijimin e Senatit në Shqipëri, duke pretenduar se kjo nismë synon t’u japë më shumë imunitet politikanëve dhe t’i mbrojë ata nga hetimet dhe arrestimet.
Në emisionin Review në Euronews Albania, Lita deklaroi se marrëveshjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë sjellë vazhdimisht pasoja për qytetarët, ndërsa ndryshimet kushtetuese, sipas tij, janë përdorur për të garantuar imunitetin e politikanëve.
“Sa herë që PD dhe PS kanë bërë marrëveshje, kanë qenë dhimbje koke për qytetarët. Sa herë që këta kanë nevojë t’i japin imunitet vetes, ndryshojnë Kushtetutën. Çfarë është Senati? Senati është rikthim i imunitetit”, u shpreh gazetari.
Duke iu referuar modelit italian, Lita pretendoi se një senator gëzon mbrojtje të posaçme ligjore dhe nuk mund të arrestohet apo të hetohet pa autorizimin përkatës.
“Një senator në Itali ka imunitet, nuk mund ta arrestosh dot apo ta hetosh pa marrë leje”, deklaroi ai.



