Joshja nga paraja është detaji që tradhtoi 50-vjeçarin, i cili në pak javë grabiti dy banka në zonën e komunës së Parisit. Albert Roland Duka është arrestuar, ndërsa i janë sekuestruar disa prova materiale, mes tyre edhe paratë me seritë e deklaruara të grabitura në banka. Ndërsa hetuesit kanë zbulaur se ai banonte 1000 m larg bankave që grabiti, në zonën e njohur si blloku pallateve “1 maji”.
Fillimisht ai grabiti OTP Bank e më pas Raiffeisen Bank, ndërsa dyshohet se në këtë skemë ka pasur edhe bashkëpunëtorë. Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Një tjetër detaj që bie në sy është fakti se bashkëshortja e tij punon në një tjetër bankë të nivelit të dytë në vend.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë. Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan:
8 200 euro,
Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale.
2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve. Ky hetim u ndoq nga Policia e Tiranës dhe Prokurori Asllan Bajrami.



