DEKLARATË E FORUM 26
PËR DATAT E ZHVILLIMIT TË PANAIRIT TË 29-TË TË LIBRIT “TIRANA 2026”
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 shpreh shqetësimin për datat 24–28 dhjetor 2026, të parashikuara për zhvillimin e Panairit të 29-të të Librit në Tiranë.
Duke mirëkuptuar shqetësimet që kanë çuar në shtyrjen e panairit, vlerësojmë se këto data rrezikojnë të cenojnë pikërisht qëllimin e deklaruar nga organizatorët: garantimin e pjesëmarrjes sa më të gjerë të lexuesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve.
Sipas kalendarit zyrtar të vitit shkollor 2026–2027, pushimet dimërore fillojnë më 24 dhjetor. Zhvillimi i panairit gjatë kësaj periudhe pengon organizimin e vizitave shkollore, ndërkohë që shumë studentë largohen nga Tirana për festat e fundvitit. Përkimi me Krishtlindjen dhe aktivitetet festive krijon vështirësi të tjera për pjesëmarrjen e autorëve dhe lexuesve.
Panairi i Librit nuk është vetëm një ngjarje tregtare, por edhe një institucion i rëndësishëm i jetës kulturore, një hapësirë takimi mes autorëve dhe lexuesve, tradita dhe vazhdimësia e së cilës duhen ruajtur edhe në rrethana të vështira.
Vërejmë gjithashtu se në njoftimin për shtyrjen e panairit përmenden konsultime me botues, pedagogë, mësues dhe lexues, por jo me autorët dhe përkthyesit, të cilët janë pjesë thelbësore e krijimit dhe e qarkullimit të librit. Vlerësojmë se përfaqësuesit e tyre duhet të përfshihen në konsultimet për vendime të kësaj rëndësie.
Për këto arsye, Forum 26 i rekomandon Shoqatës së Botuesve Shqiptarë rishqyrtimin e datave dhe propozon si alternativë periudhën 16–20 dhjetor 2026, e cila përfshin ditë mësimore dhe fundjavën, duke krijuar kushte më të përshtatshme për pjesëmarrjen e gjerë të publikut.
Forum 26 shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me organizatorët, në mbrojtje të traditës së Panairit të Librit dhe në shërbim të autorëve, botuesve e lexuesve.
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26



