Zëvendëspresidenti JD Vance fajësoi luftën me Iranin për humbjen e thellë elektorale të republikanëve të martën, duke mbajtur një qëndrim dukshëm të ndryshëm nga deklaratat e tij të mëparshme për konfliktin. Ky ishte rasti kur Vance iu afrua më shumë kritikimit të presidentit Trump, që kur mori detyrën si numri dy i administratës.
Vance, i konsideruar si kandidati kryesor për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, kritikoi “establishmentin” e Partisë Republikane dhe u bëri thirrje republikanëve të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për Izraelin. Këto komente i bëri në reagimin e tij të parë publik për analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit.
“Në muajt e ardhshëm do të ketë shumë përpjekje për të shtrembëruar realitetin. Prisni që politikanë të ndryshëm të establishmentit të thonë se zgjidhja e problemeve tona është amnistia”, shkroi Vance në platformën X.
“Por kushdo që mbështet amnistinë po ju gënjen. Arsyeja pse humbëm është lufta”, shtoi ai. “Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë. Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlente, se ia vlente të humbnim Senatin për gjashtë vitet e ardhshme, atëherë bëjeni”.
Trump kishte pranuar gjatë bisedave me Wall Street Journal dhe disa media të tjera të martën në mbrëmje se “Irani ishte një pjesë” e arsyeve pse republikanët pësuan një nga humbjet më të thella elektorale në dekada. Presidenti këmbënguli gjithashtu se pasojat ia kishin vlejtur, duke i thënë gazetës se kishte “bërë gjënë e duhur” duke hyrë në luftë.
Megjithëse dihet se Vance kishte pasur rezerva private për luftën, zëvendëspresidenti kishte mbajtur publikisht një qëndrim mbrojtës ndaj saj, duke u siguruar mbështetësve se “nëse jeni të shqetësuar për një tjetër luftë pa fund, Donald Trump nuk do të lejojë kurrë që kjo të kthehet në një luftë pa fund”.
Megjithatë, Vance, i cili prej kohësh ka qenë skeptik ndaj ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit, u kujdes vazhdimisht të afrohej me republikanët që ndiheshin të tradhtuar nga vendimi i Trumpit për të sulmuar Iranin.
Vance iu referua gjetjeve të një sondazhi, të cilin ia kishte paraqitur një anketues, sipas të cilit katër përparësitë kryesore të votuesve që mbështetën Trumpin në vitin 2024, por braktisën republikanët në zgjedhjet e mesit të mandatit, ishin: përfundimi i luftës me Iranin, përqendrimi te çështjet e kostos së jetesës, vendosja e Amerikës në radhë të parë dhe ndryshimi i “marrëdhënies sonë me Izraelin”.
“[T]ë gjithë e dinë pse humbëm. Dhe çdo diskutim i ndershëm për rrugën që duhet të ndjekim tani duhet të nisë pikërisht nga kjo”, theksoi ai.
Pavarësisht rezultateve jashtëzakonisht të dobëta në zgjedhje, Vance theksoi se mbetet “shpresëplotë për vendin tonë” dhe u bëri thirrje republikanëve të zhgënjyer që “ta shndërrojnë këtë energji në mbështetje për zgjedhjen e republikanëve që ndajnë të njëjtin botëkuptim me ju”.
“Njerëzve që janë thjesht të zemëruar për rezultatet, u them se kanë arsye të jenë. Le ta përdorim këtë zemërim dhe t’i rikthehemi punës për shpëtimin e vendit tonë”, vijoi ai.
Vance mori menjëherë mbështetjen e Donald Trump Jr., i cili e kishte mbështetur atë gjatë garës për zgjedhjen e kandidatit për zëvendëspresident në vitin 2024. Ai deklaroi se mbështeste “[ç]do fjalë” të analizës së zëvendëspresidentit. Prej kohësh kishte pasur zëra se djali i madh i Trumpit kishte pasur mosmarrëveshje me të atin lidhur me luftën në Iran.
Zëvendëspresidenti, i cili të martën pa se vendin e tij të dikurshëm në Senat e mori demokrati Sherrod Brown, kishte deklaruar më parë se nuk do të merrte një vendim për kandidimin në vitin 2028 deri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.



