Ambulancat lëvizin me xhama të thyer, reagon Urgjenca Kombëtare: E vërtetë

spot_img
Advertisements

Qendra Kombëtare e Urgjencës në vend ka reaguar në lidhje me një lajm të raportuar nga JOQ ku shfaqet një ambulancë me një xham të thyer e mbuluar me një batanije termike.

Në një postim të bërë në kanalin zyrtar në facebook, i bëhet thirrje medieve të jenë më të kujdesshme dhe të mos dezinformojnë për të tilla situata.

Urgjenca Kombëtare tregon se çfarë ka ndodhur duke risjellë në vëmendje protestën studentore ku ambulancat ndaloheshin, kontrolloheshin dhe sulmoheshin nga protestuesit. Ndaj për këtë shkruhej në reagim:

“KUR LAJMET E RREME NXISIN DHUNËN NDAJ AMBULANCAVE, NUK ËSHTË KOHA PËR IRONI, POR PËR PËRGJEGJËSI!

Në lidhje me publikimin e JOQ Albania për një ambulancë me xham të thyer, duam të sqarojmë disa fakte që, për fat të keq, nuk përmenden në shkrim.

Gjatë protestave, tre ambulancave të Urgjencës Mjekësore u janë thyer xhamat dhe dëmtime të tjera nga demonstruesit.

Kjo ndodhi në një klimë dezinformimi, ku në rrjetet sociale u përhapën lajme të rreme se ambulancat transportonin gaz lotsjellës.

Ne i përgënjeshtruam disa herë publikisht këto pretendime, duke sqaruar se ambulancat ndodheshin aty vetëm për të garantuar ndihmën mjekësore për qytetarët, përfshirë edhe vetë protestuesit.

Megjithatë, ambulancat tona u ndaluan, u kontrolluan dhe u sulmuan. Personeli mjekësor u përball me një situatë të papranueshme, ndërsa mjetet që duhet të shpëtojnë jetë u dëmtuan.

Këto janë faktet që duhen treguar përpara se të ironizohet me një ambulancë të dëmtuar.

Sigurisht, një xham i thyer duhet të zëvendësohet sa më parë dhe një mbulim provizor nuk mund të konsiderohet riparim përfundimtar. Por është e rëndësishme të shpjegohet edhe përse është thyer ai xham dhe kush mban përgjegjësi për dëmtimin.

Është shumë e lehtë të ironizosh me një batanije termike mbi një xham. Është shumë më e vështirë të flasësh për pasojat e dezinformimit, për dhunën ndaj personelit shëndetësor dhe për rrezikun që u krijohet qytetarëve kur ambulancat dalin jashtë shërbimit.

Mjekët, infermierët dhe drejtuesit e ambulancave nuk janë pjesë e asnjë konflikti politik. Ata janë profesionistë, qytetarë, prindër dhe familjarë, që dalin në shërbim për të shpëtuar jetë.

Çdo ambulancë e dëmtuar është një mjet më pak për t’iu përgjigjur një urgjence. Çdo ambulancë e penguar është një vonesë e mundshme për një pacient që pret ndihmë.

Prandaj, përpara se të bëjmë humor me ambulancat e dëmtuara, duhet të pyesim: kush i dëmtoi, përse u sulmuan dhe çfarë roli patën lajmet e rreme në nxitjen e këtyre veprimeve?

Media ka të drejtë të kritikojë institucionet dhe të kërkojë llogari për mirëmbajtjen e mjeteve. Por ka edhe përgjegjësinë të informojë me saktësi dhe të mos e shkëpusë një ngjarje nga konteksti i saj.

Ambulanca nuk është armiku i askujt. Ajo është aty për të shpëtuar jetën e kujtdo, pa dallim bindjeje politike.

Sot mund të jetë objekt ironie. Nesër mund të jetë e vetmja shpresë për të shpëtuar jetën e dikujt.

Mbroni ambulancat dhe ekipet mjekësore. Ato janë në shërbimin tuaj!”

spot_img

Latest articles

Related articles