Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të premte ndërkohë që dje u regjistrua protesta e tretë e dhunshme në kryeqytet. Nga një kioskë e shkrumbuar në kryeqytet, Rama u shpreh se aktet e dhunës dhe ajo që e cilësoi si “pengmarrje të qytetit” nuk kanë lidhje me studentët dhe problematikat e tyre.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve për durim, duke theksuar se kjo situatë do të kapërcehet dhe se Shqipëria do të dalë prej saj më e fortë dhe më e vetëdijshme për sfidat e përbashkëta.
Rama e lidhi përshkallëzimin e protestave me zhvillimet e fundit në procesin e integrimit europian, duke pretenduar se nuk është rastësi që dhuna shpërtheu pikërisht kur Shqipëria shënoi një tjetër përparim drejt Bashkimit Europian.
“Si mund të jenë studentët?! Si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gërmallë?! E gjithë kjo flamë s’është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska, s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet, asperatat legjitime të gjithëkujt që do një jetë më të mirë.
Është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që është gati ta djegë përsëri Shqipërinë në një luftë qorre dhe ku urrejtja më e verbër dhe flakët e dasisë janë e vetmja dritë arsyeje”, tha Rama.
“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sa më shumë afrohet drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka?! Nuk është aspak rastësi e gjithë kjo që po ndodh.
Është një provë, sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku, përballë një pengese të madhe që na është vënë përpara.
Studentetët, sipërmarrësit, prindërit e tyre, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe jemi këtu për të bërë më të mirën. Kush thotë që të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi gabon. Kjo do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë.
Motra dhe vëllezër durim, durim, se edhe kjo do kalojë. Do të dalim më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, vijon ai.



