Biznes dhe biznesmen sot në Shqipëri quhet edhe familjari hallexhi që del në mëngjes dhe nuk e di nëse do të ketë punë për ta mbyllur ditën, por edhe oligarku, të cilit shteti i paguan fitimin e munguar. Biznesmen quhet edhe trafikanti, edhe zanatçiu i ndershëm që rregullon këpucë, apo shitësi i gazetave dhe i kinkalerive.
Biznesmen quhet edhe ai që nuk ka lekë të shkojë me pushime, edhe ai që pushimet i paguan me fitimet nga koncesionet, lejet dhe privilegjet e oborrit të familjes.
Sot, qeveria jo vetëm që nuk po e kontrollon protestën dhe nuk po jep zgjidhjen që kërkon protesta — pra, dorëheqjen pa kushte — por po provokon edhe duke e ngatërruar biznesin e ndershëm në lojën e saj.
Deri më sot, protestuesit nuk e kanë goditur biznesin, sepse biznesi i ndershëm është shpirti i protestës, bashkë me studentët.
Por një dorë tinëzare do ta fusë në të njëjtin thes familjarin me trafikantin, të vjedhurin me hajdutin. Prandaj, protestues, nëse shihni persona me qëllime të mbrapshta që godasin biznesin e ndershëm, ndalojani dorën, sepse sot policia e shtetit nuk duket se po e bën.



