Dom Marjan Lumçi: Rinia që sot ka librin në dorë, nesër do të ketë Shqipninë mbi shpatulla

spot_img
Advertisements

Ka çaste në jetën e nji kombi kur heshtja nuk âsht mâ urti, por rrezikon me u bâ nji mënyrë për me iu shmangë përgjegjësisë morale. Ka çaste kur zâni i qytetarit, e sidomos zâni i rinisë, nuk duhet ndigjue si nji zhurmë që prish qetësinë, por si nji kushtrim që zgjon ndërgjegjen e nji populli.
Ngjarjet e mbrâmjes së 13 tetorit në Tiranë, e veçanërisht incidenti pranë Nunciaturës Apostolike, ku u hoq e u dogj flamuri i Selisë së Shêjtë, më kanë prekë thellë si meshtar, si shqiptar e si qytetar i këtij vendi.
Përballë këtyne ngjarjeve, e ndiej për detyrë me shprehë publikisht disa mendime, jo për me gjykue ndërgjegjen e askujt, por për me i shërbye së vërtetës, drejtësisë dhe paqes.

Së pari: Zâni i popullit nuk duhet me u mbytë në heshtje.
E drejta me protestue, me kërkue drejtësi e me ngritë zânin përballë padrejtësisë nuk âsht nji dhuratë që pushteti ia ban qytetarit, por nji e drejtë që buron prej dinjitetit të tij njerëzor.
E kur ky zâ vjen prej të rijve, prej studentëve, prej atyne që sot mbajnë librin në dorë e nesër duhet me mbajtë mbi supe fatin e Shqipnisë, atëherë ai zâ meriton jo vetëm me u ndigjue, por edhe me u marrë me gjithë seriozitetin që kërkon e ardhmja e nji kombi.
Sepse çfarë Shqipnie po u lamë këtyne të rijve? Nji Shqipni ku rinia shkollohet me shpresë, por shpesh e sheh të ardhmen e vet përtej kufijve të atdheut? Nji Shqipni ku prindët sakrifikojnë gjithçka për me shkollue fëmijët, ndërsa këta, sapo marrin diplomën, detyrohen me kërkue larg vendit atë që vendi i tyne nuk arrin me ua ofrue?

Mjerë ai vend që i mëson bijtë e vet me andrrue, por nuk u krijon mundësi me i jetue andrrat në tokën e tyne!
Studentët nuk janë thjesht e ardhmja e Shqipnisë. Ata janë Shqipnia që po rritet para syve tonë. E nëse sot u mohohet shpresa, nesër nuk duhet të çuditemi pse atdheu mbetet pa bijtë e vet.
Nji komb që humb rininë, nuk humb vetëm krahët e punës, por humb mendjen, zemrën, gjakun e gjallë dhe vetë shpresën e së nesërmes.
Prandaj, e shpreh afërsinë teme me çdo të ri e me çdo qytetar që, në mënyrë paqësore, kërkon nji Shqipni mâ të drejtë, mâ dinjitoze dhe mâ të denjë për bijtë e saj.

Së dyti: Liria nuk mund të ndërtohet mbi përdhosjen e simboleve të tjetrit.
Me të njajtën vendosmëni me të cilën mbroj të drejtën e protestës, shpreh keqardhjen teme të thellë dhe dënoj aktin e heqjes dhe të djegies së flamurit të Selisë së Shêjtë pranë Nunciaturës Apostolike në Tiranë.

Flamuri nuk âsht thjesht nji copë pëlhure që valëvitet në erë. Ai âsht shêji i nji identiteti, i nji historie dhe i nji sovraniteti që meriton respekt.
E flamuri i Vatikanit, për né katolikët shqiptarë, ka edhe nji domethânie të veçantë shpirtërore. Ai na kujton lidhjen tonë me Selinë e Shêjtë, me Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe me atë Kishë që, edhe në ditët mâ të errëta të historisë sonë, nuk i harroi bijtë e vet.
Selia e Shêjtë nuk âsht anmike e popullit shqiptar. Përkundrazi, ajo ka kênë pranë tij në kohë vuejtjesh, përndjekjesh e shprese.
Nuk duhet harrue se kjo tokë ka njohë martirë që dhanë jetën për fé e për liri, e se gjaku i tyne âsht nji dëshmi se dinjiteti njerëzor nuk mund të shkelet prej asnji pushteti.
Prandaj, asnji protestë, sado të drejta të jenë arsyet e saj, nuk fiton në dinjitet tue përdhosë simbolet e tjetrit.
Me këtë rast, dëshiroj t’i shpreh afërsinë teme vëllaznore Nuncit Apostolik në Shqipni dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, tue i sigurue për respektin, solidaritetin dhe lutjen teme e të famullisë qe unë drejtoj.

Së treti: Ata që drejtojnë vendin duhet me e ndigjue rininë, para se heshtja e saj të kthehet në largim.
Pushteti nuk âsht pronë, por shërbim. Nuk âsht privilegj për me sundue, por përgjegjësi për me i shërbye të mirës së përbashkët.
E kush merr mbi vete përgjegjësinë me drejtue nji popull, duhet me pasë jo vetëm forcën me marrë vendime, por edhe përvujtninë me ndigjue.
Nji qeveri nuk e humb autoritetin kur i ndigjon qytetarët e vet; përkundrazi, e forcon atë kur tregon se din me i marrë seriozisht shqetësimet e tyne.
Sot, pyetja që duhet me na trazue ndërgjegjen nuk âsht vetëm pse protestojnë të rijtë, por pse kaq shumë prej tyne nuk e shohin mâ të ardhmen në vendin ku kanë lindë.
Çfarë vlere ka nji atdhe që e duem me fjalë, nëse nuk dijmë me e bâ të jetueshëm për bijtë e tij?

Atdheu nuk mbahet gjallë vetëm me flamuj e me fjalime. Atdheu mbahet gjallë me drejtësi, me punë, me dinjitet dhe me shpresë.
E nëse rinia largohet, nuk mjafton me i kërkue që ta duejë Shqipninë, por duhet me i dhanë arsye për me qëndrue në Shqipni.
Prandaj, u baj thirrje atyne që mbajnë përgjegjësi publike që ta ndigjojnë zânin e studentëve dhe të qytetarëve, jo si nji bezdi politike, por si nji thirrje që kërkon përgjigje të drejta e konkrete.

Së katërti: Drejtësia nuk lind prej dhunës dhe paqja nuk ndërtohet mbi frikën.
Si meshtar i Krishtit, nuk mund të pajtohem me asnji formë dhune, prej kujtdo që ajo të vijë.
Dhuna e njollos edhe kauzën mâ të drejtë, ndërsa padrejtësia e ushqen zemërimin dhe e largon paqen prej zemrave të njerëzve.
Prandaj, u baj thirrje protestuesve me e ruejtë dinjitetin e protestës së tyne, me mos lejue që zemërimi ta errësojë arsyen dhe me mos e shndërrue kërkesën për drejtësi në veprime që lëndojnë të tjerët.
Njikohësisht, u baj thirrje institucioneve përgjegjëse që çdo veprim i tyne të udhëhiqet prej ligjit, maturisë dhe respektit për dinjitetin e çdo personi.
Sepse paqja nuk âsht heshtja e imponueme, as qetësia që lind prej frikës. Paqja e vërtetë âsht fryt i drejtësisë dhe aty ku mungon drejtësia, paqja mbetet nji fjalë e bukur, por pa jetë.

Per keto arsye:
Nuk dëshiroj nji Shqipni ku të rijtë të heshtin prej frikës, as nji Shqipni ku zemërimi të kthehet në dhunë.
Dëshiroj nji Shqipni ku studentët të kenë arsye me besue, ku prindët të mos i përcjellin fëmijët me lot në aeroporte, ku dinjiteti i njeriut të mos matet me pasuninë apo me pushtetin që zotnon, dhe ku askush të mos ndihet i huej në atdheun e vet.
Dëshiroj nji Shqipni ku flamuri i çdo kombi të respektohet, ku institucionet të jenë në shërbim të qytetarit dhe ku qytetari të mos ketë nevojë me bërtitë për me u ndigjue. E mbi të gjitha, dëshiroj nji Shqipni që të mos e humbë shpresën.
Sepse nji popull mund të përballojë shumë vuejtje, por kur i shuhet shpresa, i rrezikohet vetë e ardhmja.
E për né të krishtenët, shpresa nuk âsht nji andërr e zbrazët. Ajo âsht nji përgjegjësi që na thërret me veprue, me ndërtue dhe me mos u dorëzue përballë së keqes.
I lutem Zotit që t’u japë urti atyne që qeverisin, maturi atyne që protestojnë dhe guxim të rijve për me mos e humbë besimin në të ardhmen.

Zoti e bekoftë Shqipninë! Zoti e ruejtë rininë e saj! E bâftë që bijtë e këtij vendi të mos kenë nevojë me e kërkue larg atdheut të ardhmen që u takon me e ndërtue në tokën e vet!

Dom Marjan Lumçi!

Famullia e Shën Luçisë

spot_img

Latest articles

Related articles