Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Artur Prifti ka zhvilluar një bisedë me protestuesit, duke deklaruar se do të verifikohen pamjet filmike dhe do të merren masa ndaj efektivëve që kanë hedhur gurë gjatë protestës. Ai tha se edhe djalin e tij e ka në protestë.
”Nuk është e ligjshme që policia ka hedhur gurë. Do të shikohen filmimet dhe do të merren masa. Jam komandanti i FNSH-së, jap përgjigje vetëm për këto forca. Edhe unë kam djalin në protestë. Më lini të bëj detyrën! Do të ushqehet familja, do të zbatohet ligji, do të mbrohet shteti”, u shpreh ai gjatë bisedës me protestuesit.
Protesta ndodhet në ditën e katërt, me pjesëmarrësit që janë rikthyer në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.



