Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit dhe, veçanërisht, për pamjet dhe denoncimet e dhunës policore ndaj të rinjve dhe të miturve.
Si profesionistë të psikoterapisë, e konsiderojmë detyrim etik të reagojmë kur cenohen siguria fizike, dinjiteti dhe integriteti psikologjik i njeriut. Pasojat e dhunës mund të vazhdojnë përtej dëmtimeve të dukshme. Frika, poshtërimi dhe përvoja e pafuqisë mund të cenojnë besimin te të tjerët dhe tek institucionet, veçanërisht kur dhuna ushtrohet nga persona të ngarkuar me mbrojtjen e qytetarit.
Pa paragjykuar vlerësimin individual të personave të përfshirë, theksojmë se ekspozimi ndaj dhunës dhe trajtimit degradues mund të ketë pasoja të rëndësishme psikologjike. Për fëmijët dhe adoleshentët, këto përvoja ndodhin në një periudhë veçanërisht të ndjeshme të formimit të identitetit dhe të marrëdhënies me autoritetin.
Dënojmë dhunën ndaj çdo personi, përfshirë punonjësit e policisë, si edhe veprimet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë publike. Njëkohësisht, theksojmë përgjegjësinë e veçantë që buron nga ushtrimi i autoritetit shtetëror. Institucionet kanë detyrimin të parandalojnë përshkallëzimin, të mbrojnë personat nën kontrollin e tyre dhe të garantojnë llogaridhënie për çdo abuzim. As tensioni i situatës, as shkeljet e dyshuara nga një qytetar nuk justifikojnë ndëshkimin fizik apo poshtërimin e tij.
Veçanërisht shqetësuese është çdo përpjekje për ta normalizuar dhunën përmes fajësimit të personit që e pëson. Mbrojtja e dinjitetit dhe e integritetit të njeriut nuk mund të kushtëzohet nga sjellja, bindjet politike apo pjesëmarrja e tij në protestë.
Shqetësimet e të rinjve duhen dëgjuar dhe trajtuar me seriozitet. Etiketimi kolektiv, përçmimi dhe gjuha kërcënuese thellojnë mosbesimin dhe vështirësojnë dialogun. Përgjegjësia për veprime konkrete duhet të përcaktohet individualisht, pa e shndërruar një brez apo një grup shoqëror në objekt fajësimi.
Në këtë situatë, Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë kërkon:
- Hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent të çdo pretendimi për dhunë dhe trajtim degradues, me shqyrtim të përgjegjësisë individuale dhe drejtuese.
- Mbrojtje të posaçme për të miturit në çdo ndërhyrje dhe procedurë, me informimin dhe përfshirjen e prindit ose kujdestarit, ndihmë juridike dhe mbështetje profesionale sipas nevojës.
- Kujdes mjekësor dhe akses në mbështetje psikologjike për të gjithë personat e prekur nga dhuna, duke respektuar privatësinë, pëlqimin dhe nevojat e tyre.
- Masa konkrete për parandalimin e dhunës policore, përmes mbikëqyrjes, mekanizmave efektivë të ankimit dhe trajnimit për vetëkontrollin, uljen e tensioneve dhe komunikimin me të miturit.
- Përmbajtje dhe përgjegjësi në komunikimin publik nga autoritetet dhe aktorët politikë, duke shmangur nxitjen, poshtërimin dhe përdorimin e frikës për qëllime politike.
- Përgjegjësi nga mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale në publikimin e pamjeve, veçanërisht mbrojtjen e identitetit të të miturve dhe shmangien e ekspozimit të përsëritur poshtërues.
U bëjmë thirrje institucioneve të krijojnë hapësira reale dëgjimi dhe dialogu me të rinjtë. Ruajtja e rendit dhe respektimi i dinjitetit njerëzor janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku.
Shëndeti mendor i një shoqërie lidhet edhe me mënyrën se si ushtrohet pushteti, si trajtohet kundërshtimi dhe çfarë ndodh kur dikush abuzon me forcën që i është besuar.
Dhuna e toleruar dhe pandëshkueshmëria e cenojnë sigurinë e të gjithëve. Institucionet duhet të tregojnë, me veprime të verifikueshme, se qytetari është i mbrojtur edhe kur kundërshton, edhe kur dyshohet se ka shkelur ligjin, edhe kur ndodhet plotësisht në duart e shtetit.
Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë



