Në 29 nga 30 kontratat e punëve publike të audituara në Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat e saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi diferenca mes volumeve të punimeve të likuiduara dhe atyre të kryera realisht.
Vlera për të cilën KLSH-ja kërkon rikuperimin e dëmit ekonomik arrin në 18.7 milionë lekë me TVSH, ndërsa auditimi ka gjetur edhe objekte të kolauduara e të marra në dorëzim pa dokumentacionin e kërkuar të ndërtimit.
Kontrolli përfshin kontrata të zbatuara gjatë periudhës 2019-2024. Nga 30 kontrata të përzgjedhura për auditim, vetëm në një prej tyre nuk u raportuan diferenca të tilla, ndërsa në 29 të tjerat KLSH gjeti volume punësh të pakryera në kundërshtim me kontratat e sipërmarrjes.
Për këto raste, audituesit i kanë rekomanduar Ministrisë së Bujqësisë të marrë masa për arkëtimin e rreth 18.7 milionë lekëve, të cilat përfaqësojnë vlerën e punimeve të likuiduara, por të pakryera. Në total, masat për shpërblim dëmi të lidhura me auditimin arrijnë rreth 19.1 milionë lekë, ku pjesa kryesore vjen pikërisht nga kontratat e punëve publike.




