Këshilli i Ministrave miratoi më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke hedhur një hap drejt krijimit të një kuadri të posaçëm ligjor për tregun e kriptomonedhave në Shqipëri.
Projektligji synon të përcaktojë rregullat për tregtimin dhe ofrimin e shërbimeve që lidhen me kripto-asetet në vend, në përputhje me standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian.
Nisma përafron legjislacionin shqiptar me Rregulloren e BE-së 2023/1114, e njohur si MiCA. Në projektligj parashikohen rregulla për emetimin e kripto-aseteve, funksionimin e platformave të tregtimit, ruajtjen dhe këmbimin e tyre, si dhe për shërbime të tjera që lidhen me këtë treg.
Një prej objektivave kryesore është rritja e transparencës dhe mbrojtja e investitorëve. Kuadri i ri përcakton kërkesa për kapitalin, qeverisjen e kompanive, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe sigurinë kibernetike.
Projektligji parashikon gjithashtu masa për parandalimin e abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave, duke synuar që aktiviteti i operatorëve që ofrojnë shërbime në fushën e kripto-aseteve të zhvillohet brenda rregullave të përcaktuara.
Në këtë mënyrë, tregu i kripto-aseteve në Shqipëri synohet të funksionojë mbi një kuadër më të qartë ligjor dhe në përputhje me standardet evropiane.
Projektligji parashikon edhe një trajtim të diferencuar për llojet e ndryshme të kripto-aseteve, në varësi të karakteristikave dhe nivelit të rrezikut që paraqesin.
Në mesditën e një fundjave të nëntorit të 2022, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim informal me Çangpeng Zhao, presidentin e kompanisë së kriptomonedhave “Binance”. Pas këtij takimi Zhao shkruante në rrjetet sociale: “ Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka dhënë asnjë detaj për takimin e zhvilluar mes tij dhe Changpeng Zhao, më 22 nëntor të vitit 2022. Shqipëria nuk është aspak imune nga aferat e manipulimit me kriptomonedhat. Pak muaj më parë një operacion ndërkombëtar zbuloi se një zyrtar i rëndësishëm qeveritar gjendej në hierarkinë e një organizate kriminale që kishte mashtruar qindra mijëra persona në vlerë mbi 2.4 miliardë euro.




