Shërbimi Informativ Shtetëror dyshohet se është përdorur nga ish-drejtuesja e tij, tashmë e shkarkuar, Vlora Hyseni, për të përgjuar, vëzhguar dhe ndjekur prokurorët e SPAK që kishin në duar dosjen e AKSHI-t dhe po hetonin Ergys Agasin. Qëllimi dyshohet se ishte i fortë: të gjendej material komprometues ndaj prokurorëve, që më pas mund të përdorej për presion apo shantazh.
Informacioni konfirmohet për “MaShqip” nga burime pranë SPAK. Sipas tyre, në komunikimet e sekuestruara mes Ergys Agasit dhe ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, kjo e fundit dyshohet se e kishte njoftuar Agasin se ndaj dy prokurorëve, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, ishin vendosur persona për t’i vëzhguar dhe ndjekur.
Dyshimi i hetuesve është se synimi ishte mbledhja e informacioneve apo materialeve komprometuese ndaj tyre. Materiale që, sipas burimeve, mund të përdoreshin më pas kundër prokurorëve gjatë hetimit, për t’i vendosur nën presion apo edhe për t’i shantazhuar.
Por ajo që e bën edhe më të fortë këtë pjesë të hetimit është mënyra se si dyshohet se SPAK ka rënë në gjurmët e këtyre veprimeve. Burimet thonë për “MaShqip” se mesazhet janë gjetur në telefonin e Ergys Agasit, i cili iu sekuestrua në momentin e arrestimit.
Telefoni, sipas burimeve, nuk kishte kod dhe ishte i aksesueshëm nga hetuesit. Brenda tij janë gjetur komunikimet me Hysenin dhe të dhëna që tashmë janë bërë pjesë e hetimit. Këto mesazhe, sipas burimeve, lidhen edhe me komunikimet Hyseni–Agasi që tashmë janë bërë publike. Në një prej tyre, Hyseni i shkruante Agasit: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.” Pikërisht këtu merr një tjetër kuptim hetimi i SPAK.
Sipas dyshimeve që po hetohen, Hyseni mund të ketë përdorur vartës të SHISH për të vëzhguar, ndjekur dhe përgjuar dy prokurorët, por edhe persona të afërt dhe familjarë të tyre. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për komunikimet mes kreut të SHISH dhe një biznesmeni nën hetim. Dyshimi është shumë më i rëndë: nëse strukturat e shërbimit sekret shqiptar janë vënë në lëvizje kundër vetë prokurorëve që po hetonin Agasin.
Një gjë e tillë është ngritur edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, detaje të së cilës janë publikuar nga “Lapsi”. Gjatë kësaj mbledhjeje, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, mësohet se ka ngritur pikërisht çështjen e përgjimeve ndaj njerëzve të afërt të prokurorëve. “SHISH kishte arritur deri aty sa të angazhohej në përgjime të paligjshme të familjarëve të afërm të dy prokurorëve të Posaçëm që kanë në dorë dosjen e shumëpërfolur të abuzimeve në AKSHI, ku është përfshirë biznesmeni Ergys Agasi”, mësohet të ketë deklaruar Braho para anëtarëve të Këshillit.
Debati është zhvilluar pasi kryeministri Edi Rama, ashtu siç “MaShqip” ka raportuar më herët, kishte kërkuar shpjegime për mënyrën se si ishte vepruar ndaj drejtueses së SHISH. Sipas informacioneve nga mbledhja, Rama kishte ngritur pikëpyetje se përse ishte vendosur masa e sigurisë në këtë mënyrë dhe përse ai nuk ishte njoftuar fillimisht, në mënyrë që Hyseni të shkarkohej dhe më pas të procedohej. “Pse duhet të bëhej në këtë formë, që të denigrohet shteti shqiptar?”, mësohet të ketë thënë Rama.
Por përgjigjja nga SPAK ka qenë e fortë. Braho mësohet se ka sqaruar se ndërhyrja ishte e domosdoshme, pasi grupi hetimor kishte siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme se struktura të SHISH ishin përfshirë në mbrojtjen dhe ndihmën ndaj Ergys Agasit. “U desh të ndërhyhej pasi grupi hetimor kishte gjetur mjaft prova për të ngritur dyshimin e arsyeshëm, bazuar në prova, për përfshirjen e SHISH në mbrojtje dhe ndihmë të Ergys Agasit”, mësohet të ketë deklaruar Braho.
Vetëm pak ditë më parë, me kërkesë të prokurorëve, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Masë sigurie u caktua edhe ndaj ish-drejtuesit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi, si dhe ndaj punonjësit të vilave qeveritare, Embro Sulejmani, i cili dyshohet se furnizonte me ushqime Ergys Agasin.
Por pjesa që mund ta bëjë këtë dosje edhe më të rëndë sapo ka nisur të dalë në dritë. A është përdorur SHISH për të mbrojtur Ergys Agasin dhe njëkohësisht për të përgjuar prokurorët që po e hetonin? Kush dha urdhrin? Cilët punonjës të SHISH u përdorën? Çfarë u gjet për prokurorët dhe familjarët e tyre? Dhe ku përfundoi informacioni i mbledhur?
Këto janë tashmë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje në një hetim që nisi nga AKSHI, por që ka mbërritur deri në zemër të Shërbimit Informativ Shtetëror



