MBLEDHET KRYESIA E PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT
Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Kryesisë së Partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila shqyrtoi dhe diskutoi mbi këtë rend dite:
- Situata aktuale politike në vend;
- Strategjia e PLL-së për zgjedhjet vendore të vitit 2027;
- Udhëzime për strukturat e PLL-së në çdo bashki;
- Çështje të tjera.
Në përfundim të diskutimeve, Kryesia e PLL-së theksoi qëndrimin e saj se largimi nga pushteti i kësaj mazhorance qeverisëse është domosdoshëmëri, pasi ajo ka humbur besimin qytetar dhe ka cenuar interesat e qytetarëve.
Në këtë kuadër, Partia Lëvizja e Legalitetit, si gjithmonë, mbështet në mënyrë qytetare dhe institucionale të drejtën për protestë dhe manifestim demokratik, duke mbështetur edhe protestën aktuale që synon largimin e kësaj qeverisjeje.
Për PLL-në, sot kërkohet një organizim i ri dhe më efektiv i aksionit të përbashkët opozitar, larg strategjive të deritanishme dhe kundër çdo protagonizmi individual, duke vendosur interesin e qytetarëve dhe të vendit mbi interesat personale apo partiake.
Përballë pushtetit qeverisës, strukturave shtetërore dhe problematikave të vazhdueshme që lidhen me proceset zgjedhore, për PLL-në mbetet thelbësore këmbëngulja për miratimin e një Kodi Zgjedhor të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që garanton standarde demokratike, barazi politike dhe pluralizëm të vërtetë.
Partia Lëvizja e Legalitetit i konsideron zgjedhjet vendore të vitit 2027 një proces me rëndësi të veçantë politike dhe organizative. Për këtë arsye, strukturat e PLL-së do të nisin pa vonesë përgatitjet e nevojshme në të gjithë territorin e vendit.
Në këtë kuadër, të gjitha strukturat e PLL-së nisin parapërgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, me synimin që Partia Lëvizja e Legalitetit të përfaqësohet me kandidaturat e saj në çdo bashki.
Çdo Kryesi Dege ngarkohet të nisë procesin e identifikimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave që do të përfaqësojnë siglën e PLL-së në zgjedhjet vendore.
Në këtë kuadër, Partia Lëvizja e Legalitetit u bën thirrje intelektualëve, profesionistëve, të rinjve dhe potencialeve të reja në çdo bashki të vendit që t’i bashkohen PLL-së dhe të bëhen pjesë e këtij procesi, duke pasur mundësinë të përfaqësojnë komunitetet e tyre nën siglën e Partisë Lëvizja e Legalitetit.
Atdheu mbi të gjitha!



