Në Beograd, Aleksandar Vuçiç sapo ka inauguruar një fabrikë dronësh izraelit, por adresa e saj mbahet e fshehtë. Sipas materialit të BBC-së, arsyeja e dhënë ishte “konfidencialiteti i procesit të prodhimit”. Fabrika pritet të punësojë rreth 100 persona dhe të prodhojë dronë për ushtrinë serbe dhe potencialisht për ushtri të vendeve të tjera.
Në Tiranë, kompania izraelite Elbit Systems ka hyrë në sistemin e trajnimit të aviacionit ushtarak dhe po diskutohet që ekspertiza izraelite të shtrihet edhe te Forcat Speciale. Një tjetër kompani izraelite ka firmosur marrëveshje për një Data Center në zonën ekonomike TEDA, ndërsa kapital izraelit gjendet edhe në banka të nivelit të dytë.
Në Kroaci, sistemi izraelit Trophy do të jetë pjesë e mbrojtjes së tankeve të rinj Leopard 2A8. Në shkurt 2026, ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anušić vizitoi Izraelin dhe u takua me homologun Israel Katz.
Të shikuara veçmas, janë marrëveshje ushtarake, investime private, projekte teknologjike dhe marrëdhënie diplomatike.
Të vendosura në të njëjtën hartë, tregojnë një zhvillim më të madh: Izraeli, kompanitë e tij strategjike dhe kapitali privat izraelit po zgjerojnë praninë në Ballkan në disa drejtime njëkohësisht.
Elbit Systems është një nga kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në Izrael. Në prill 2025, kompania shtetërore shqiptare KAYO dhe Elbit nënshkruan marrëveshjen për ringritjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë. Në korrik 2026, Shkolla Kombëtare e Fluturimit hapi dyert.
Në shkurt 2025 ndodhi një tjetër zhvillim. Këtë herë nuk bëhej fjalë për Ministrinë e Mbrojtjes, por për teknologjinë dhe infrastrukturën digjitale.TEDA Tiranë, Bashkia e Tiranës dhe kompania izraelite H.A.P.I Advanced Technologies LTD firmosën marrëveshjen për ndërtimin e një Data Center-i. Në ceremoni ishte sërish Edi Rama
Media ekonomike izraelite “Globes”, raportoi se projekti parashikohet të arrijë rreth 100 milionë euro, me kapacitet fillestar 32 MW dhe mundësi zgjerimi deri në 100 MW.
Pas strukturave të lidhura me projektin janë shfaqur biznesmenët izraelitë Roi Shaposhnik, Noam Frank, Shlomi Avni dhe Itai Melchior. Për Melchior raportohet se ka pasur më herët role në zyrën e kryeministrit izraelit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit.
Po ashtu janë krijuar grupe deputetësh pro-Izraelit në Kuvend, me krah mediatik, ‘sinagoga’ të reja të lokalizuar në ish Bllok, Zogu i Zi dhe një vend i tretë, ekspedita gazetarësh, plane për muze në Vlorë.



