Sali Berisha, i ftuar në “Opinion”, ka komentuar vizitën në SHBA dhe heqjen e statusit “Non Grata”. Berisha ka zbuluar se kompania që ka lobuar për heqjen e “Non Grata”-s është “Continental” dhe se Chris LaCivita nuk ka lidhje me këtë lobim.
Po ashtu, Berisha tha se ishte Departamenti i Shtetit ai që vendosi për heqjen e statusit “Non Grata”. Sa i përket pagesës, kreu ni PD-së tha se ka qenë tepër e ulët.
“Ka lobuar “Continental”. Ata i kanë të ndara gjërat: nëse ti merresh me lobim, duhet të regjistrohesh në gjykatë. Ligji është shumë i rreptë atje. LaCivita nuk ka pasur lidhje.
Mund të them, meqë më pyet, ka qenë çmimi më i ulët që është paguar nga një person. “Continental” është legale dhe besoj se ka lobuar në Departamentin e Shtetit. Vendimi është marrë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe ka qenë vendim i sekretarit”, tha Berisha.
Po ashtu, kryedemokrati tha se i ka dërguar një letër presidentit Trump kur ky i fundit ishte në opozitë, për të cilën tha se e ka lexuar.
“Unë i kam dërguar një letër informimi Trumpit, kur ishte ai në opozitë. Siç i kam dërguar të gjithë liderëve që njihja dhe kishin peshë, dhe jam i sigurt që letra i ka shkuar.
Unë e informova me një letër dhe jam i sigurt që ai e ka lexuar atë letër. Këtë ma ka thënë një person i njohur”, tha Berisha.
Po ashtu, kreu i PD-së tha se viza e tij për në SHBA vlen 5 vite dhe se këtë të drejtë e gëzojnë edhe familjarët e tij.
“Viza për në SHBA vlen 5 vite. Edhe familjarët e mi mund të shkojnë kur të duan në SHBA”, deklaroi ai.



