(Një analizë e komentatorit të njohur Edward Luce në “Financial Times”)
“Financial Times” është gazetë e botës kapitaliste, askush s’mund ta akuzojë për majtizëm. Përkundrazi: kjo e përditshme britanike me rëndësi globale mbron vlerat perëndimore.
Në një analizë të komentatorit Edward Luce tregohet se përse po dështon angazhimi diplomatik i Jared Kushnerit dhe Steve Witkoffit? Sepse, sipas Luce, Kushner dhe Witkoff po përpiqen të zgjidhin konflikte gjeopolitike përmes logjikës së biznesit dhe pasurive të paluajtshme.
Ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio i shmanget këtyre përpjekjeve sepse e kupton pafuqinë e tyre, Kushner dhe Witkoff e përdorin premtimin e fitimeve financiare si mjetin kryesor të presionit. Rubio është edhe këshilltar për siguri nacionale i presidentit amerikan, pra që nga koha e Henry Kissingerit asnjë politikan amerikan nuk i ka mbajtur këto dy funksione. Megjithatë, Rubio po qëndron larg nga diplomacia e Kushnerit dhe Witkoffit.
Qasja biznesoro-diplomatike e tyre ka dështuar në Ukrainë, ku ata injoruan synimet territoriale të Vlladimir Putinit dhe nevojën ekzistenciale të Ukrainës për mbrojtje. Të njëjtat gabime dhe mosprania e ekspertëve ndikuan në dështimin e bisedimeve bërthamore me Iranin, si dhe propozimet e papërgjegjshme të Kushnerit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës me qëllim rindërtimin e saj për projekte tregtare buzë detit.
Në pjesën e fundit, artikulli i “Financial Times” ndalet veçanërisht te Shqipëria, ku pasojat e kësaj diplomacie janë mjaft të dukshme. Kushner planifikon një projekt kontravers për ndërtimin e deri në 10’000 vilave luksoze në një zonë të mbrojtur ekologjike në bregdetin shqiptar. Kjo marrëveshje e ka çuar vendin në prag të një revolucioni politik, ku protestuesit e shumtë kanë adoptuar flamingon – shpendin e rrezikuar që jeton në atë trevë bregdetare – si simbolin kryesor të rezistencës.
Kryeministri Edi Rama ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm nga këto protesta popullore. “Shqipëria nuk është në shitje”, thonë protestuesit shqiptarë, që zakonisht janë proamerikanë. Nëse të dërguarit e Trumpit do të dëgjonin, pjesë të tjera të botës po përpiqen t’u thonë të njëjtën gjë, nënvizon gazeta “Financial Times”. Dëshira e dërguarve të Trumpit për të kthyer tokat publike në pronë private po përballet me një reagim të ashpër qytetar.



