YouTube ka bllokuar kanalin “Jeta Ime” (Moj život) të regjisorit serb, Emir Kusturica.
Lajmin e bëri të ditur agjencia shtetërore ruse, Sputnik.
Në kanalin e tij, Kusturica kishte publikuar video të prodhuara në bashkëpunim me shërbimin në gjuhën serbe të Sputnik. Kanali kishte 30 mijë abonentë dhe në të ishin postuar 243 video të shfaqjeve, programeve dhe muzikës së Kusturicës. Në disa prej tyre janë trajtuar çështje si fati i ish-Jugosllavisë, përplasja e qytetërimeve dhe përplasja midis vlerave të krishtera dhe perëndimore.
Që nga viti 2020, YouTube ka bllokuar kanale që përhapin propagandë ruse. Shumica u hoqën pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës. Platforma gjithashtu mbyll kanale që u përkasin personazheve të famshëm që janë subjekt i sanksioneve perëndimore. Agjencia federale e censurës e Rusisë, Roskomnadzor, ka ulur shpejtësinë e YouTube në vend – një veprim i lidhur pjesërisht me bllokimin masiv të kanaleve ruse.
Sputnik shkruan se mbyllja e kanalit është bërë pa asnjë paralajmërim. Vetë Kusturica akuzoi YouTube-in se po zhvillon një “luftë” kundër njerëzve që mendojnë në mënyrë të pavarur dhe “thonë të vërtetën”.
Regjisori serb i tha agjencisë ruse TASS se pas vendimit qëndron “një shoqëri totalitare”, duke shtuar se “për ta është normale që e mbyllën kanalin në YouTube. Ata janë në luftë me ne, me njerëz që mendojnë, që thonë të vërtetën dhe u sjellin të vërtetën masave.”
“Ata nuk duan në korin e tyre askënd që nuk këndon një këngë në të cilën algoritmet pasqyrojnë atë që duan ata vetë. Ata, njerëzit më të pasur në botë, plus shërbimet e inteligjencës.”
I lindur në Sarajevë në vitin 1954, Kusturica është një nga regjisorët më të njohur të Evropës. Që nga nisja e sulmit në Ukrainë, ai ka mbështetur Moskën, duke argumentuar se konflikti ishte “përgatitur prej kohësh me ndihmën e Pentagonit” dhe ishte “një luftë kundër Ortodoksisë”, ndërsa e ka përshkruar qeverinë ukrainase si “pro-naziste”



