Një sipërfaqe e madhe prej 24.467.6 m² do të ndërtohet në bregdetin e bukur të Radhimës, deri dje i paprekur dhe me ndërtime sporadike nga banorë vendas, e tashmë nën kthetrat e rënda të betonit, ku edhe ato sipërfaqe të paprekura në breg të detit Jon, do të shndërrohen në godina të stërmëdha dhe të larta, që do t’i zënë frymën.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur ditët e fundit projektin e radhës në Vlorë, ku pas dhënies së lejeve në Lungomare, Ujin e Ftohtë dhe Orikum, radha i ka ardhur edhe Radhimës. Ndërtimet jo domosdoshmërisht janë abuzim, gjithmonë nëse zbatohet arkitektura dhe koefiçentët e ndërtimit.
Dyshimi mbetet te lartësia e ndërtimeve, pasi të ngresh një çiban 15 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë ia ke marrë frymën të gjithë zonës, zonës së plazhit dhe godinave të tjera në atë plazh, që deri dje kanë qenë maksimumi deri në 7 kate.
Në 29 korrik 2026, Këshilli Teknik, në varësinë e ministrit Blendi Gonxhja dhe nën drejtimin e Endri Haxhiut, ka miratuar “Raportin e miratimit arkeologjik në kuadër të projektit ‘Strukturë polifuksionale me dy korpuse me funksion banim, hotel dhe shërbime me 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 14 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë’ me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë, me zhvillues subjekti “2B&U Company” sh.p.k.”.
Kompania investitore rezulton të jetë themeluar nga sipërmarrësi Vexhi Danaj, një shoqëri e të cilit është vendosur nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale për grupin e dyshuar kriminal të narko-trafikut, të drejtuar nga Elvis Doçi (Visi i Pojës).



