3 mbretërit shqiptarë të Amerikës Latine, 12 miliard euro pasuri

spot_img
Advertisements

Grupet kriminale shqiptare nuk shkuan në Amerikën Latine vetëm për të blerë kokainë. Ato ndërtuan në Ekuador një sistem që kombinonte kompanitë e eksportit, lidhjet lokale dhe aksesin në portet e Guayaquilit për të siguruar furnizimin dhe transportin e drogës drejt Evropës.

Tre faktorë favorizuan shtrirjen e mafies shqiptare dhe grupeve të tjera ballkanike në Ekuador: dobësia institucionale dhe korrupsioni në agjencitë e kontrollit, ekonomia e dollarizuar dhe rritja e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, paralelisht me kërkesën në Evropë.

Tregu evropian i kokainës është katërfishuar gjatë 15 viteve të fundit, ndërsa Amerika Latine prodhon sot më shumë se dyfishin e sasisë së një dekade më parë. Sipas shifrave të OKB-së të cituara në material, kultivimi i kokës në Kolumbi është trefishuar dhe prodhimi ka arritur në rreth 3 mijë tonë në vit.

Pikërisht në këtë treg në zgjerim hynë edhe grupet shqiptare

Nga ‘Ndrangheta te shqiptarët

Shqiptarët e parë mbërritën në Ekuador rreth vitit 2009. Në fazën fillestare, ata ndiqnin direktivat e mafies kalabreze ‘Ndrangheta, e cila kërkonte akses të drejtpërdrejtë te kokaina kolumbiane për shpërndarjen e saj në Evropë. Guayaquil u kthye në pikën kryesore të këtij operacioni.

Qyteti bregdetar kishte një avantazh të rëndësishëm për trafikun: tetë porte dhe një volum të madh eksportesh me kontejnerë, veçanërisht me banane dhe produkte të tjera që niseshin drejt Evropës.

Grupet kriminale kuptuan se fluksi i madh i mallrave krijonte mundësi për të fshehur kokainën mes ngarkesave të ligjshme.

Në atë periudhë, autoritetet ekuadoriane e kishin përqendruar vëmendjen kryesisht te droga që transportohej përmes plazheve dhe porteve të vogla të Manabí-t dhe Esmeraldas, me motoskafe drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.

Karteli Sinaloa dominonte këtë rrugë, ndërsa banda ekuadoriane Los Choneros siguronte transportin dhe logjistikën brenda vendit. Shqiptarët po ndërtonin ndërkohë një korridor tjetër, me destinacion tregun evropian.

Arbër Çekaj, Dritan Gjika dhe Dritan Rexhepi

Në këtë periudhë shfaqen edhe disa prej emrave shqiptarë të përmendur në material. Arbër Çekaj mbërriti në Guayaquil dhe themeloi një kompani për eksportin e bananeve. Sipas materialit, kompania përdorej për fshehjen e narkotikëve në ngarkesat detare, ndërsa Çekaj vepronte si përfaqësues i ‘Ndrangheta-s italiane.

Rreth së njëjtës periudhë mbërriti në Ekuador edhe Dritan Gjika, i përshkruar në material si një figurë e rëndësishme e mafies shqiptare.

Në vitin 2012 mbërriti Dritan Rexhepi, i cili identifikohet në material si një nga drejtuesit pionierë të organizatës kriminale transnacionale “Compañía Bello”.

Prania e shqiptarëve nuk mbeti e përkohshme.

Në fillim ata qëndronin një ose dy muaj në Ekuador, ndërsa më pas disa u vendosën përgjithmonë. Materiali pretendon se pjesëtarë të këtyre rrjeteve siguruan dokumente identiteti të falsifikuara, paguan për leje qëndrimi ose viza investitori dhe përdorën edhe martesa me shtetase ekuadoriane për të siguruar qëndrimin në vend.

Kompanitë e frutave si mbulesë

Modeli i ngritur në Ekuador nuk mbështetej vetëm te blerja dhe transporti i kokainës. Përmes bashkëpunëtorëve vendas, grupet shqiptare identifikuan boshllëqe në sistemin bankar dhe atë të kompanive. Më pas nisën të blinin ose krijonin dhjetëra kompani për eksportin e frutave dhe produkteve të detit. Në dokumente shfaqeshin si sipërmarrës. Kompanitë u krijonin mundësi të hynin në zinxhirin e eksportit që lidhte portet ekuadoriane me Evropën. Kjo strategji u hapi edhe një derë tjetër.

Pjesëtarët e këtyre grupeve mësuan spanjishten dhe krijuan kontakte në rrethet e biznesit të Guayaquilit. Materiali flet për lidhje me biznesmenë, politikanë, drejtues të policisë dhe marinës, gjyqtarë dhe prokurorë.

Kështu nisi kalimi nga trafikantë të huaj që kërkonin kokainë pranë burimit, në struktura që synonin të kontrollonin hallka të caktuara të zinxhirit ekonomik dhe institucional.

Depërtimi në institucione

Faza tjetër lidhet me depërtimin e strukturave ballkanike në institucionet ekuadoriane.

Objektivi ishte kontrolli i pjesëve kyçe të zinxhirit të furnizimit me kokainë dhe transportimi i sasive gjithnjë e më të mëdha drejt Evropës, ku tregu vjetor i kokainës vlerësohet në material në mbi 12 miliardë dollarë.

Fitimet nga trafiku krijuan mundësi që këto struktura të hynin edhe në aktivitete të tjera kriminale, përfshirë minierat e paligjshme të arit.

Sipas vlerësimeve zyrtare të cituara në material dhe të përmendura edhe nga presidenti ekuadorian Daniel Noboa, ekonomitë kriminale në Ekuador gjenerojnë rreth 26 miliardë dollarë të ardhura, ekuivalente me afërsisht 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga kokaina te lufta mes bandave

Rritja e ekonomisë kriminale u shoqërua me përkeqësimin e situatës së sigurisë. Rreth 50 banda veprojnë aktualisht në Ekuador. Shumë prej tyre ofrojnë shërbime për ruajtjen dhe transportimin e kokainës për organizata të ndryshme kriminale, nga grupet ballkanike te kartelet Sinaloa dhe Jalisco Neë Generation. Përplasjet për territorin dhe kontrollin e korridoreve të drogës kanë ushqyer dhunën. Në janar 2024, qeveria ekuadoriane shpalli gjendjen e luftës kundër grupeve kriminale.

Shifrat e sigurisë tregojnë përmasat e krizës. Sipas të dhënave të cituara në material, norma e vrasjeve u rrit nga 6 në 50.9 vdekje të dhunshme për 100 mijë banorë gjatë periudhës 2019-2025.

Brenda pak vitesh, Ekuadori u përball me një krizë sigurie të lidhur me luftën mes bandave dhe ekonominë e trafikut të drogës.

SHBA dhe BE rrisin ndërhyrjen

Përballë situatës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rritur bashkëpunimin me autoritetet ekuadoriane. BE-ja është përqendruar te trajnimi, programet sociale dhe shkëmbimi i inteligjencës, ndërsa SHBA-ja ka vijuar mbështetjen me pajisje, infrastrukturë dhe informacion për agjencitë ligjzbatuese.

Megjithatë, sipas materialit, autoritetet ekuadoriane vazhdojnë të mbështeten kryesisht te reagimi policor dhe ushtarak, ndërsa nuk kanë arritur të rimarrin kontrollin e territoreve ku veprojnë strukturat kriminale.

Historia që nisi rreth vitit 2009 me mbërritjen e shqiptarëve të parë në Ekuador nuk mbeti te blerja dhe transportimi i disa ngarkesave me kokainë.

Rrjeti kaloi nga bashkëpunimi me ‘Ndrangheta-n te kompanitë e bananeve, nga portet e Guayaquilit te lidhjet me aktorë vendas dhe nga blerja e kokainës te kontrolli i hallkave që mundësojnë transportimin e saj drejt Evropës.

Ekuadori u kthye kështu në një bazë të rëndësishme të operacioneve të grupeve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, duke i vendosur ato pranë burimit të kokainës dhe porteve prej nga droga merr rrugën drejt tregut evropian.

Burimi: https://dialogopolitico.org/agenda/analisis/dp-enfoque-20-como-mafia-albanesa/

spot_img

Latest articles

Related articles