Aspekti financiar duket se ka luajtur një rol vendimtar në zgjedhjen e Mirlind Dakut për të vijuar karrierën në futbollin rus. Sulmuesi i Kombëtares është pranë zyrtarizimit te Spartaku i Moskës, klub që ka paguar 11 milionë euro te Rubin Kazan për të aktivizuar klauzolën e lirimit, në një marrëveshje që pritet t’i sigurojë përfitime rekord gjatë viteve të ardhshme.
Sipas raportimeve të medieve ruse, Daku do të përfitojë rreth 3.75 milionë euro në sezon. Nga kjo shumë, 2.5 milionë euro do të jenë pagë fikse, ndërsa 1.25 milionë euro do të përfitohen si bonus vjetor për besnikëri ndaj klubit.
Përveç pagës, 27-vjeçari do të arkëtojë edhe një bonus nënshkrimi prej 1.5 milionë eurosh. Kontrata mes palëve pritet të jetë e vlefshme për tre sezone, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.



