Shkencëtarët zbulojnë për herë të parë atmosferë rreth një ekzoplaneti shkëmbor të banueshëm

spot_img
Advertisements


Astronomët kanë bërë një zbulim të rëndësishëm në kërkimin për botë të ngjashme me Tokën, duke zbuluar për herë të parë një atmosferë rreth një ekzoplaneti shkëmbor që ndodhet në zonën e banueshme të yllit të tij.

Planeti, i quajtur ‘LHS 1140 b’, ndodhet rreth 49 vite dritë larg Tokës dhe është pjesë e një sistemi që rrotullohet rreth një xhuxhi të kuq. Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore ‘Science’, përbën një hap të rëndësishëm në studimin e planetëve jashtë sistemit tonë diellor, pasi është hera e parë që është identifikuar një atmosferë në një ekzoplanet shkëmbor brenda të ashtuquajturës “Zona Goldilocks”, ku mund të ekzistojnë kushte të përshtatshme për ujë të lëngshëm.

Kërkimi për planete potencialisht të banueshme bazohet kryesisht në dy kritere: përbërjen shkëmbore të ngjashme me Tokën dhe një distancë të përshtatshme nga ylli i tyre, e cila lejon ruajtjen e ujit në gjendje të lëngshme.

“Është hera e parë që dikush ka gjetur një atmosferë në një planet shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër”, tha Collin Cherubim, shkencëtar planetar në Universitetin e Harvardit dhe autori kryesor i studimit.

Matjet tregojnë se LHS 1140 b ka një masë rreth pesë herë më të madhe se Toka dhe një rreze rreth 1.7 herë më të madhe.

Këto të dhëna sugjerojnë se bëhet fjalë për një planet shkëmbor, por dendësia më e ulët se ajo e Tokës tregon mundësinë e pranisë së një atmosfere të hollë dhe ndoshta të rezervave ujore.

Planeti konsiderohet veçanërisht interesant për studiuesit për shkak të afërsisë së tij relative me Tokën. Ai rrotullohet rreth një xhuxhi të kuq, një yll shumë më i vogël dhe më i ftohtë se Dielli, me rreth një të pestën e masës së tij.

“Para 20 vitesh pyesnim nëse ekzistonin planetë të tjerë të ngjashëm me Tokën. Më pas zbuluam se ata janë të zakonshëm dhe gjetëm disa në zonën e banueshme. Pyetja tjetër ishte nëse ndonjëri prej tyre kishte arritur të ruante atmosferën. Tani e dimë se të paktën njëri prej tyre po”, u shpreh Robin Wordsworth nga Universiteti i Harvardit.

Cherubim kishte parashikuar më herët se LHS 1140 b mund të kishte një atmosferë të pasur me helium. Për ta testuar këtë hipotezë, ai krijoi një model kompjuterik që analizonte mënyrën se si planetët humbasin gazra gjatë evolucionit të tyre.

Sipas modelit, disa planetë mund të humbasin hidrogjenin gjatë zhvillimit të tyre, por të ruajnë heliumin, duke krijuar atë që studiuesit i quajnë “botë të pasura me helium”.

Për të konfirmuar parashikimet, shkencëtarët përdorën spektrografin WINERED në Observatorin Las Campanas në shkretëtirën Atacama të Kilit.

Ata vëzhguan LHS 1140 b dhe një planet tjetër fqinj në momentin kur kalonin përpara yllit të tyre.

Duke analizuar dritën që kalonte përmes atmosferës së planetit, studiuesit mundën të identifikonin elementët kimikë të pranishëm. Rezultatet treguan shenja të një atmosfere me helium, e cila po largohet gradualisht në hapësirë me shpejtësi shumë të lartë.

Ky proces mund të shkaktohet nga erërat yjore ose nga ndërveprimi magnetik mes planetit dhe yllit.

Megjithatë, studiuesit vunë re se fenomeni nuk ishte i pranishëm në të gjitha vëzhgimet, duke sugjeruar se ndryshon me kalimin e kohës.

Një nga aspektet më të rëndësishme të zbulimit është fakti se LHS 1140 b ka arritur të ruajë atmosferën e tij për më shumë se tre miliardë vjet, pavarësisht aktivitetit të lartë të xhuxhit të kuq që mund të dëmtojë atmosferat planetare.

Sipas Cherubim, planeti merr rreth 42% të energjisë që Toka merr nga Dielli. Megjithëse gjatë historisë së tij është ekspozuar ndaj niveleve të larta të rrezatimit rëntgen dhe ultravjollcë, ai ka arritur të ruajë një pjesë të atmosferës së tij.

Shkencëtarët do të vijojnë studimet për të përcaktuar nëse LHS 1140 b mund të ketë oqeane ose karakteristika të tjera që do ta bënin atë të përshtatshëm për jetë.

Zbulimi tregon gjithashtu rëndësinë e teleskopëve tokësorë në kërkimin e atmosferave jashtë sistemit diellor, krahas teleskopëve hapësinorë si ames Webb Space Telescope (JWST).

spot_img

Latest articles

Related articles