Norvegjezët po hapin Rogfast-in, një tunel 27 kilometra të gjatë, 392 metra nën fundin e detit, me dy tuba paralelë nën presionin e ujit të Boknafjordit, për 2.2 miliardë euro, rreth 40 milionë euro për kilometër të gërmuar po të llogariten mbi 50 kilometrat e tubave. Të mjerët, nuk dinë të bëjnë biznes. Ne hapëm Llogaranë, 6 kilometra nëpër shkëmb miqësor mbi nivelin e detit, për 190 milionë euro, pra 32 milionë për kilometër, ndërsa kroatët ndërtuan Sveti Rok dhe Mala Kapelën, 11.7 kilometra tunele autostradale me dy tuba, për 170 milionë gjithsej. Por kryevepra jonë është “tuneli fushor”: Thumanë-Kashari, 21 kilometra në fushë të hapur, pa asnjë mal e pa asnjë fjord, ku rreziku më i madh gjeologjik ishte ndonjë arë me domate. Fizibiliteti i donatorëve e vlerësoi 160 milionë euro, PPP-ja e pakërkuar e kontraktoi 226 milionë, dhe relacionet buxhetore e ngjitën në 457 milionë, pra 22 milionë euro për kilometër. Norvegjezët, nën det, me lazerë që takojnë dy skuadra gërmimi me saktësi 5 centimetra, arrijnë 40 milionë për kilometër të gërmuar. Ne arrijmë gjysmën e atij çmimi pa gërmuar asgjë.
Sepse teknologjia jonë kombëtare e tunelizimit nuk është lazeri, është “tenderi”: hapet gara, jepet oferta, anulohet, bëhet një udhëtim në Turqi, sillet një fitues që nuk kryen asnjë punim dhe nënkontrakton ofertuesin e parë, ndërsa projektit i shtohen 50 milionë euro, siç e dokumenton tashmë SPAK-u për Llogaranë. Në Norvegji, kur Rogfast-i doli mbi buxhet, projektin e ndaluan dy vjet dhe e quajtën skandal parlamentar; te ne 40% mbi fizibilitet, si te Milot-Balldreni, quhet marzh. Dhe pagesa ndjek të njëjtën filozofi: norvegjezi paguan tarifën 20 vjet dhe pastaj tuneli bëhet falas, kurse ne Llogaranë e paguam njëherë me taksa si investim publik dhe tani po e paguajmë përsëri, 1 euro për kilometër, gati sa gjithë Rruga e Kombit me 100 kilometrat dhe dy tunelet e saj. Prandaj propozoj që Ministria jonë t’u ofrojë norvegjezëve kursin “Tunelizimi Fiskal i Avancuar”: si të gërmosh 457 milionë euro nga një fushë e sheshtë. Ata do të mbeten me rekordin e tunelit më të thellë nënujor në botë; ne me tunelin krahasimisht më të shtrenjtë për metër katror, me hyrje te taksat tona dhe me dalje, gjithmonë, diku tjetër.



