Rildo Ngjela
Mes mllefit dhe sloganeve, protesta po tregon çdo ditë se nuk është vetëm një reagim ndaj së tashmes, por ndaj 35 viteve që përsërisin vetveten. Ky është zëri i një shoqërie që ka qenë dëshmitare e ndryshimit të qeverive, partive dhe liderëve, por ç’është më e rëndësishme, ka qenë dëshmitare e një cikli që s’po i duket fundi. Kjo është edhe arsyeja kryesore që shpjegon sloganet për “lodhjen nga politika 35-vjeçare”. Prandaj është gabim ta trajtosh si një zemërim të zakonshëm. Ajo është një formë memorieje ku shoqëria thotë: ne e mbajmë mend. Ata mbajnë mend premtimet e tranzicionit dhe reformat e paraqitura si historike. Ata kujtojnë sa herë u është premtuar një fillim i ri. Dhe tani është momenti që po thonë se një vend nuk mund të jetojë përjetësisht brenda fillimeve të reja. Çdo shoqëri ka nevojë për vazhdimësi. Ka nevojë për memorie institucionale dhe të nxjerrë mësime nga dështimet. Nëse këto nuk funksionojnë, nuk mundemi t’u japim përgjigje pyetjeve se pse dështoi sistemi, kush është përgjegjës dhe as që kemi për të gjetur ndonjë zgjidhje se si të ndalojmë ciklin përsëritës.
Për mbi 3 dekada, klasa politike në Shqipëri ka bërë të kundërtën. Me ose pa qëllim, ka krijuar një sistem për të dëmtuar kujtesën. Jo se ka fshirë të kaluarën, por e ka bërë të padobishme duke e zhvlerësuar. Kjo, sepse çdo krizë është trajtuar si problem i izoluar dhe çdo skandal ka zëvendësuar tjetrin. Po ashtu, çdo reformë ka anulluar paraardhësen. Çdo forcë politike flet sikur historia nis kur ata vijnë në pushtet. Ndërkohë, çdo brezi i kërkohet të ketë durim, sepse çdo ditë jemi më afër arritjeve historike dhe së shpejti Shqipëria do të bëhet.
Ky quhet anullim i kujtesës apo mbamendjes kolektive.
Nga ana tjetër, nuk mund të fshihet dot kujtesa që njerëzit kanë mes tyre. Ato janë kujtime personale dhe familjare që ka secili prej nesh. Por, këto janë kujtime të copëzuara të mbetura brenda familjes, kafeneve dhe bisedave private, që në fakt na kanë penguar të dallojmë mundësitë që ka humbur Shqipëria. Pikërisht këto memorie duhet të bëhen mësim për të ardhmen dhe të kthehen në standard dhe përgjegjësi shoqërore.
Politika 35-vjeçare i ka mbijetuar kohës, pikërisht sepse shoqëria shqiptare nuk arriti dot kurrë ta kthejë kujtesën në llogaridhënie.
Ky është problemi i vërtetë.
Shqipërisë, jo vetëm që i ka munguar mirëqeverisja, por çfarë është më e keqe i ka munguar trashëgimia politike dhe shoqërore. Në 35 vite, asnjë parti politike nuk ka ndërtuar një shkollë mendimi. Asnjë institucion publik nuk ka arritur të mbajë qëndrueshmërinë. Reformat nuk prodhuan kurrë një traditë. Në jetën publikë janë shpërblyer me pushtet ata që kanë penguar memorien kolektive dhe jo ata që kanë dashur ta transmetojnë atë. Pushteti ka preferuar besnikërinë e vazhdueshme, jo trashëgiminë e përgjegjshme. Dhe, ja pra, shoqëria shqiptare detyrohet të fillojë çdo herë nga e parë, sikur e djeshmja të mos ketë ekzistuar kurrë.
Por si mundet një shoqëri të ndërtojë të ardhmen e vet, në një kohë kur çdo dekadë gjithçka nis nga zero? Vërtetë kemi ndërtuar kulla, rrugë, strategji kombëtare dhe fushata plot. Por, të gjitha këto, edhe pse të artikuluara në emër të progresit, nuk kanë asnjë vlerë pa kujtesën. Pa të, nuk e dimë nëse po ecim përpara ose po përsërisim të njëjtin cikël.
Është fjala për kujtesën si gjykim. Si aftësia e vetme për të krahasuar të djeshmen me të sotmen, pa nostalgji. Si një instrument, që duhet të përdoret nga opinioni publik për të gjykuar nëse pushteti i shërbeu publikut apo vetëm vetes së vet.
Pra, pa kujtesë nuk ka krahasim.
Pa krahasim nuk ka gjykim.
Pa gjykim nuk ka përgjegjësi.
Pa përgjegjësi, e ardhmja do të jetë vetëm një version kozmetik i së shkuarës.
Kjo është arsyeja pse protesta ka rëndësi. Numrat në shesh na japin vetëm rezultatin aritmetik të saj, por vlera e vërtetë qëndron në mundësinë që protesta po i jep shoqërisë për të kujtuar së bashku.
Protesta duhet të kthejë emocionin në vetëdije dhe ta lidhë ankesën aktuale me zinxhirin e gjatë që e ka prodhuar. Në rast të kundërt, zemërimi pa kujtesë kolektive konsumohet shpejt. Ky është precedent i rëndësishëm që duhet të krijojë një protestë qytetare. Nga ana tjetër, politika duhet të kuptojë që njerëzit janë të lodhur, jo vetëm nga një ngjarje ku mori spunto protesta, por nga cikli i pambarimtë i fillimit të ri.
Prandaj, një shoqëri pa memorie është e destinuar të mbetet peng i vetvetes dhe e pafuqishme të ndërtojë të ardhmen e saj.



