Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ndaj fenomenit të parkimeve të gabuara në zonat urbane, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të normave të bashkëjetesës qytetare. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministri konfirmoi se Policia e Shtetit ka nisur një fushatë të intensifikuar për ndëshkimin e këtyre shkeljeve, të cilat janë ndër ankesat më të shpeshta që mbërrijnë në adresën e tij.
Në reagimin e tij, ministri vuri theksin te barazia para ligjit, duke u dërguar një mesazh të qartë atyre që abuzojnë me hapësirat publike.
“Një nga ankesat më të shpeshta që kam marrë në adresën time elektronike apo në telefon janë pikërisht parkimet e gabuara nëpër lagje e rrugë, të cilat bëhen shqetësim për banorët e komunitetit dhe përdoruesit e tjerë të mjeteve,” shprehet Lamallari.



