Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë kanosur një kliente, e kanë mbajtur peng dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë gjatë ndërhyrjes.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ish-Doganës, ku u arrestuan në flagrancë shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh.
Sipas Policisë, pas një konflikti për motive të dobëta me një kliente në ambientet e subjektit, ata dyshohet se e kanë kanosur, e kanë mbajtur kundër vullnetit të saj dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, të dy kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa 41-vjeçarja dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.



