SHKODËR – Një i paraburgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër ka ndërruar jetë mëngjesin e së dielës, pas një përkeqësimi të papritur të gjendjes shëndetësore.
Sipas të dhënave zyrtare, 62-vjeçari me iniciale Ç. J. ka shfaqur probleme shëndetësore në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Ai jetonte në të njëjtën qeli me të birin, D.J., i cili gjithashtu ndodhet në paraburgim.
Fillimisht, i paraburgosuri ka marrë ndihmën e parë mjekësore brenda institucionit, ndërsa më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe procedurave të reanimimit, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur procedurat për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllime për familjen dhe ka deklaruar se po bashkëpunohet me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e rastit



