Kampioni ballkanik në atletikë, David Nikolli, ka denoncuar publikisht atë që ai e cilëson si “ndëshkim” nga institucionet shtetërore, pas pjesëmarrjes së tij në protestat që po zhvillohen para Kryeministrisë në Tiranë.
Sipas tij, ndaj tij janë marrë masa që lidhen me punësimin dhe njohjen e titujve sportivë, duke e konsideruar këtë si një reagim të padrejtë.
Nikolli, i cili është një nga sportistët më të suksesshëm në disiplinën e tij, ka deklaruar se do të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur të drejtat e tij.
“Jam këtu për të denoncuar maskarallëkun e radhës që mbahet nga pushteti në Shqipëri. Unë si kampion që kam përfaqësuar vendin tim me krenari dhe kam dhënë gjithçka në sport, po përballem me padrejtësi. Jam kampion i Ballkanit me 8 medalje dhe kam 12 rekorde kombëtare, dhe vetëm pak ditë më parë fitova kampionatin kombëtar. Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt sepse kam dalë të protestoj si qytetar i lirë,” është shprehur David Nikolli.



