Një vizion përtej protestës: Pakti Qytetar për Demokracinë

spot_img
Advertisements

nga Ermal Hasimja

Zhgënjimi dhe revolta e protestuesve ka arsye të shumta. Ata përfaqësojnë një shumicë deri më sot të heshtur. Le ta themi troç: qeveria ka zgjedhur opsionin e sulmit ndaj protestës. Nga ana e saj opozita duhet të pranojë faktin e hidhur se zhgënjimi drejtohet edhe ndaj saj si aktore themelore politike. PD-ja është në skenë prej 35 vitesh dhe betejat e mbijetesës nuk mjaftojnë si përligjie për pafuqinë për të frymëzuar ndryshim. Partitë e reja zhgënjyen gjithashtu pritshmëritë e votuesve qoftë me paaftësinë për t’u rritur mjaftueshëm, qoftë me përçarjen përballë qeverisë dhe sherret mes tyre.
Nuk ka zgjidhje të vërteta të problemeve pa analizuar me ndershmëri arsyet që shtrihen gjatë gjithë tranzicionit. Zhgënjimi dhe revolta duhet të transformohen në ligje dhe institucione.
Shqipërisë i duhet një demokraci ku çdo qytetar dëgjohet, përfshirë edhe dhjetëra mijëra të rinjtë që deri dje i dinim indiferentë. Na duhet një administratë në shërbimin tonë, jo në shërbim të partisë. Na duhet një drejtësi me dorë të hekurt që godet kriminelin dhe nëpunësin që vjedh paratë tona. Na duhet një ekonomi që shpërblen punën e ndershme dhe djersën e ballit. Na duhet një shtet që i nxit të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe ata që janë jashtë të kthehen.
Shqiptarët meritojnë dinjitet. Secili prej tyre.

SHKAQET E PROBLEMEVE
Problemi nuk është vetëm Rama, por i gjithë sistemi i tranzicionit që e vendos shtetin në shërbim të disave dhe në kurriz të shumicës.
a. Mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

  • Zgjedhjet e fundit u bënë me një kod zgjedhor të dizajnuar nga dy partitë kryesorë për të hequr qafe partitë e vogla. Kodi duhet ndryshuar. Proporcionali kombëtar me koalicione parazgjedhore është sistemi më i drejtë që garanton barazinë e votës.
  • Partia Socialiste përdori të gjithë shtetin, njerëz e financa, në funksion të fitores.
  • Partia Socialiste përfitoi dhjetëra mijëra vota nga krimi i organizuar.
    b. Sistemi klientelist.
  • Punësimi në shtet ka si kriter themelor votën për Partinë Socialiste. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qeverisjet e mëparshme. Kjo i mbyll derën meritokracisë, dekurajon rininë dhe të shkolluarit jashtë vendit, dhe pamundëson rotacionin politik sepse i garanton Rilindjes vota të pamerituara. Shqipëria ka shumë më tepër nëpunës publikë më tepër sesa do të duhet të kishte në kushtet e emigrimit dhe digjitalizimit.
    c. Bashkëpunimi me klientët dhe krimin e organizuar.
  • Interesat e krimit të organizuar aktualisht përfaqësohen nga Rilindja. Them Rilindja dhe jo Partia Socialiste, sepse jam i bindur se edhe shumica dërrmuese e socialistëve nuk e dëshirojnë diçka të tillë. Krimi i organizuar përdor shtetin për pastrimin e parave të drogës, për përfitime të paligjshme përmes tenderave dhe për t’u mbrojtur nga drejtësia. Në këmbim krimi i organizuar furnizon me vota qeverisjen aktuale.
  • Klientët e qeverisë dhe sidomos ata që njihen si oligarkë janë financuesit më të mëdhenj të fushatave zgjedhore. Ata financojnë edhe lobimin e qeverisë jashtë vendit. Gjithashtu ata sigurojnë edhe mbështetjen e televizioneve ndaj qeverisë. Në këmbim përfitojnë prona publike ose tendera me kontrata që u garantojnë fitime të jashtëzakonshme pa konkurrencë.
    Pra kemi një marrëdhënie trekëndore mes qeverisë, krimit të organizuar dhe klientëve të qeverisë.
    d. Dobësia relative dhe bllokimi i sistemit të drejtësisë.
    Në 2-3 vitet e fundit drejtësia ka goditur fort korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por veprimi i drejtësisë është bllokuar në mënyrë të ndryshme:
  • Përmes ndikimit politik në vendimarrjen e drejtësisë.
  • Përmes bllokimit të heqjes së imunitetit parlamentar.
  • Përmes vështirësimit të financimit të drejtesisë.

ZGJIDHJET
Protesta është legjitime dhe shpëtimtare, por ajo nuk është zëvendësim i zgjedhjeve. Ajo është mekanizmi demokratik për të korrigjuar institucionet kur ato nuk funksionojnë normalisht. Protesta nuk duhet të ndryshojë thjesht qeverisjen, por edhe të paralajmërojë opozitën e sotme dhe çdo qeverisje të ardhshme se prej sot e tutje shqiptarët nuk do të pranojnë më t’u shkelet dinjiteti.
Presioni që vjen nga protesta mund ta çojë ndoshta në dorëheqjen e Ramës, por nuk mjafton nëse nuk do të trajtojë shkaqet e thella të problemeve siç i paraqita më lart. Ndoshta Rilindja mund të fitojë sërish zgjedhje të pandershme si ato të fundit. Ose Rilindja mund të thyhet, por një qeveri e re sillet po njësoj si ajo.
Tani është koha për të menduar përtej protestës.
Shqipëria nuk ka patur kurrë një protestë kaq të rëndësishme. Kjo energji duhet shfrytëzuar për të ndryshuar gjërat me themel. Prandaj duhet kërkuar më shumë se sa dorëheqja e Ramës dhe shfuqizimi i ligjeve të përshtatura për klientët e qeverisë:

  1. Një qeveri kujdestare që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme duke pamundësuar. përdorimin e administratës publike në fushatë, parandalimin e përfshirjes së krimit të organizuar dhe financimeve të paligjshme nga klientët e qeverisë.
  2. Miratimin e një kodi të ri zgjedhor: proporcionalin kombëtar me koalicione parazgjedhore, financim transparent e të qartë të partive si dhe reformë territoriale që nuk synon të mbrojë interesat e partive, por të sjellë vendimarrjen dhe shërbimin te qytetari.
  3. Një Pakt Qytetar për Demokracinë të miratuar nga të gjithë forcat politike aktuale ose që mund të lindin nga protesta për një qeverisje të ndershme të së ardhmes. Pavarësisht nëse forcat opozitare dalin bashkë ose veças në zgjedhje kjo marrëveshje duhet të jetë gurthemeli i kuvendit të ri dhe duhet të përmbajë:
    a. Garantimin e të gjithë kushteve optimale për punën e drejtesisë. Përmirësimin e proceseve të vetingut dhe emërimit të magjistratëve. Përcaktimin e përgjegjësisë penale ndaj sulmeve politike mbi magjistratës dhe institucionet.
    b. Shfuqizimin e ligjeve të personalizuara të miratuara në Kuvend vitet e fundit për klientët e qeverisë.
    c. Ndryshimet ligjore përkatëse që garantojnë heqjen automatike të imunitetit të të zgjedhurve pa patur nevojë për miratimin e kuvendit.
    d. Lehtësimin e procedurave të referendumit popullor për çështje të rëndësishme.
    e. Masat përkatëse për pastrimin e adminstratës publike nga nëpunës që nuk i duhen shtetit, por i sigurojnë vota partisë. Parandalimin e punësimit politik.
    f. Ndryshime ligjore që përcaktojnë përgjegjësi financiare e penale për nëpunësit publike që i shkaktojnë dëme të qëllimshme shtetit me papërgjegjshmërinë ose abuzimin e tyre.

DETYRA E PROTESTES
Ata që protestojnë vijnë nga fusha, besime e përkatësi politike të ndryshme. Sfida më e madhe e protestës është që të përfaqësojë jo vetëm zhgënjimin dhe revoltën, por edhe kërkesat e tyre. Propozimet e mësipërme kanë parasysh një emërues të përbashkët që mund të sjellë konsensus.
Qeveria nuk do të heqë dorë kollaj nga qëndrimi i vet. Ajo përballet me trysninë e protestës nga njëra anë, por edhe me një trysninë po aq të madhe të atyre që përfitojnë nga qeverisja: të gjithë ata që marrin tendera, pastrojnë paratë e drogës apo marrin rroga të pamerituara. Prandaj detyra kryesore e protestës është të mbajë gjallë e të rrisë trysninë e saj. Koha punon kundër qeverisë. Çdo ditë protestë vetëdijëson mijëra qytetarë për problemet dhe pasojat e qeverisjes. Kjo është arsyeja përse Rama nuk rri indiferent duke pritur lodhjen e protestuesve, por i sulmon ata vazhdimisht. Fuqizimi i protestës dobëson qeverinë. Fuqizimi i protestës ushtron trysni të madhe reformuese edhe tek opozita, sepse opozita ndjen se po eklipsohet prej saj.
Protesta duhet të vijojë të jetë paqësore dhe të shmangë çdo konfrontim. Ajo duhet të mbetet protestë qytetare pa lejuar tjetërsimin nga partitë politike.
Me protestat aktuale vërtetuam se ne si qytetarë meritojmë dinjitet. Protestat treguan gjithashtu se jemi të bashkuar: nuk ka shqiptarë të majtë a të djathtë, veriorë a jugorë, myslimanë e të krishterë, të rinj a pensionistë. Ka vetëm shqiptarë që duan dinjitet e mirëqenie përkundër atyre që na e ndalojnë këtë.
Shqiptarët po lëvizin. Tani përveç vullnetit duhet edhe arsyeja dhe organizimi.

spot_img

Latest articles

Related articles