Nga Azmi Stringa
Greqia nuk ndihet e konkuruar apo e shqetësuar nga Shqipëria turistike e Ramës, përkundrazi. Madje, ajo duhet ta mbështesë që të rrijë në pushtet duke i dhënë akses në lobimin e saj në SHBA dhe BE, apo duke i mbajtur fillin narativës së forcave të huaja që nuk duan zhvillimin e vendit, për konsum të brendshëm. Njësoj si me Enver Hoxhën.
Kohët e fundit, përveç vizitave të shpeshta në Lindje të Mesme, KM është parë të shkojë disa herë edhe në Greqi. Kjo përkon me kohën kur hallet e tij me izolimin ndërkombëtar dhe drejtësinë qenë mëse të dukshme. Nuk është farë çudi, dhe as hera e parë në historinë e vendit tonë, që në këto vizita ka kërkuar të gjejë akses dhe mbështetje për të qëndruar në pushtet, duke ofruar në këmbim çdo gjë që mund t’i kërkohej apo shkoj mendja atij.
Greqisë ia ka bërë nderet, sepse e la vendin për 30 vitet e ardhshme pa porte dhe garantoi që Korridori 8 nuk do të jetë dot, edhe po të duan të tjerët, një problem për Greqinë. Ai e siguroi që Shqipëria do të jetë vetëm një vend resortesh turistike të gardhuara si në Afrikën e safarit apo Azi Jugore, dhe që asnjëherë nuk do të përbej konkurrencë apo rrezik për Greqinë, si atë turistike dhe të logjistikës.
Ky model i turizmit që po zbaton KM dhe ortakët e tij oligarkë kërkon detyrimisht dhe e çon vendin drejt shpopullimit nga shqiptarët me pretendime dhe drejt importit të fuqisë bazike dhe të përuluar nga vendet e azisë, të cilët, ashtu si turistët dhe ata pak banorë vendas që do mbeten, do të blejnë produkte importi në super marketet e po të njëjtëve oligarkë.
Një model i tillë është intensiv në shfrytëzimin e burimeve dhe me përfitime minimale për shqiptarët, shumë larg modelit të Greqisë, ku grekët dhe familjet greke në zonat turistike janë vetë “efendiko”. Nderkohe shqiptaret e kane me te lehte te behen “zot” ne plazhet e Greqise a Italise, duke e filluar nga zero, se sa ne token e trasheguar ne vendin e tyre.
Në këtë kontekst, Rama i ka thënë qartë Greqisë, si parardhësi i tij komunist, se: “më mbështesni mua në pushtet, sepse unë jam pikërisht ai që ju duhet për ti drejtuar shqiptarët dhe Shqipërinë. Kurse nacionalizmat i vijojmë për konsum të brendshëm kur kemi halle me elektoratet tona.”



