Gazetari Lavdrim Lita duke folur për projektin në Zvërnec theksoi se parashikohen 28 mijë njësi banimi, 100 mijë banorë, dhe mund të ketë nevojë për krijimin e një bashkie tjetër për zonën. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Lita tha:
“Projekti shkon deri në Darëzezë, po flasim për një projekt që ka të bëjë deri në 28 mijë njësi banimi dhe rreth 100 mijë banorë që do të mbipopullojnë këtë zonë. Ka projekte konkrete, që sipas studimeve që kam parë unë nga investitorët, që investimi të bëhet brenda 7 vitesh, me 28 mijë njësi banimi dhe shërbimi”.
Sipas tij, pas debatit publik për Zvërnecin fshihet një projekt zhvillimor shumë më i madh, për të cilin, sipas Litës, nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm për publikun shqiptar.
“Ka një projekt zhvillimor që s’ju thuhet shqiptarëve. Projekti është konkret dhe ka interes për ta zhvilluar”.
Gazetari argumentoi gjithashtu se reagimet që kanë ardhur nga Greqia nuk lidhen thjesht me çështjen e disa banorëve të zonës që disponojnë shtetësi greke, por me ndikimin që mund të ketë realizimi i këtij projekti strategjik.
“Greqia s’po interesohet për disa familje me pasaportë greke në Nartë, por e shikojnë këtë projekt të madh si një gjë që s’u shkon përshtat, dhe reagojnë që ta ndalojnë që në fillim”.



