Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka vendosur të luajë një lojë shumë më të madhe sesa një reformë e zakonshme fiskale, shkruan Correre della Sera.
Në një moment kur lufta mes Iranit dhe Izraelit po ndryshon tregtinë, investimet dhe lëvizjen e kapitaleve në rajon, Ankaraja po përpiqet të ripozicionohet si një platformë e madhe financiare mes Europës, Gjirit Persik dhe Azisë Qendrore. Për ta bërë këtë, qeveria turke ka zgjedhur armën më të fortë të konkurrencës globale: taksat.
Reforma e miratuar nga parlamenti turk krijon një regjim fiskal ultra-favorizues për të pasurit, sipërmarrësit ndërkombëtarë, holdingjet, multinacionalet dhe pensionistët e huaj.
“Duam ta pozicionojmë Stambollin si një kënd global rajonal”, deklaroi ministri i Financave Mehmet Shimshek, duke prezantuar planin që synon ta kthejë Turqinë në një alternativë ndaj Dubait, Singaporit dhe Hong Kongut.
Pjesa më agresive e reformës është përjashtimi total nga taksat për 20 vite mbi të ardhurat e krijuara jashtë Turqisë. Kush transferon rezidencën fiskale në Turqi nuk do të paguajë taksa për dividendët, fitimet financiare, të ardhurat nga investimet apo fitimet e kompanive të krijuara jashtë vendit.
Sipas modelit të ri, këto të ardhura as nuk do të deklarohen në autoritetet turke, duke e afruar sistemin me regjimet më agresive fiskale në botë. Ndërsa të ardhurat e krijuara brenda Turqisë do të vazhdojnë të tatohen normalisht.
Paketa përfshin gjithashtu uljen drastike të taksës së trashëgimisë në vetëm një përqind për ata që futen në regjimin special, si dhe një tjetër amnisti fiskale për rikthimin e kapitaleve të mbajtura jashtë vendit. Para, ar, valutë dhe letra me vlerë mund të rikthehen në Turqi me norma shumë të reduktuara tatimore.
Por reforma nuk synon vetëm individët e pasur. Ankaraja kërkon të tërheqë edhe seli rajonale kompanish, holdingje dhe shërbime financiare ndërkombëtare. Për këtë arsye, plani parashikon lehtësime pothuajse totale për kompanitë që operojnë në Istanbul Financial Center, distrikti gjigant financiar i ndërtuar vitet e fundit në pjesën aziatike të Stambollit dhe që synon të konkurrojë me Dubain, Singaporin dhe Hong Kongun, shkruan ndër të tjera Corriere.



