Papa Luani XIV: Inteligjenca artificiale është “çështjea e re sociale”, Vatikani hap debatin

spot_img
Advertisements

Pak ditë pas kremtimit të Ditës së 60-të Botërore të Komunikimit dhe pas njoftimit të Selisë së Shenjtë për themelimin e një Komisioni ndërdikasterial kushtuar inteligjencës artificiale, ndërsa Papa Luani XIV përgatitet të botojë enciklikën e tij të parë, Magnifica Humanitas, më 25 maj, kushtuar mbrojtjes së njeriut në epokën e inteligjencës artificiale, Vatikani hapi sot një debat ndërkombëtar mbi një nga çështjet më të rëndësishme të kohës sonë: si të mbrohen fytyrat, zërat dhe mendimet njerëzore në epokën e algoritmeve.

Pikërisht sot paradite, 21 maj, në Universitetin Papnor Urbanian filloi konferenca ndërkombëtare “Ruajtja e Zërave dhe e Fytyrave Njerëzore”, e promovuar nga Dikasteri për Komunikimin, në bashkëpunim me Dikasterin për Kulturën dhe Edukimin, me Fondacionin Shën Gjoni XXIII dhe me vetë ateneun papnor.

Titulli i konferencës i bën jehonë drejtpërdrejt temës së zgjedhur nga Papa Luani XIV për mesazhin e Ditës Botërore të Komunikimit, e cila u kremtua të dielën e kaluar në shumë vende të botës. Në atë tekst, Papa e përcakton sfidën e inteligjencës artificiale si çështje kryesisht antropologjike, duke paralajmëruar kundër rrezikut që simulimi artificial i marrëdhënieve, emocioneve e madje, edhe i identitetit personal, mund të ndryshojë vetë strukturën e bashkëjetesës njerëzore. “Çështja që kemi për zemër nuk është se çfarë mund, ose çfarë do të jetë në gjendje të bëjë makina, por çfarë mund dhe çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë ne“, shkruan Papa, duke ftuar t’i përdorim me vetëdije këto mjete, me përgjegjësi, me bashkëpunim dhe me edukim. Që nga fillimi i papnisë, Luani XIV e quajti inteligjencën artificiale si “çështjen e re sociale“, që duhet përballuar në dritën e doktrinës shoqërore të Kishës, të dinjitetit të punës dhe të drejtësisë.

Në fjalën e tij, prefekti i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, kardinali José Tolentino de Mendonça, bëri një reflektim më të gjerë antropologjik dhe kulturor, duke u nisur nga leksiku i mesazhit të Papës Luani XIV. Duke pasur parasysh titullin “Ruajtja e zërave dhe e fytyrave njerëzore”, ai kujtoi se në traditën klasike dhe të krishterë fytyra dhe zëri nuk janë elemente të thjeshta identifikuese, por shprehje të thella të personit dhe të marrëdhënieve. “Qenia njerëzore nuk mund të reduktohet kurrë në një të dhënë, në një profil, në një algoritëm“, ​​vërejti ai. “Njeriu është gjithmonë i jashtëzakonshëm, mister dhe thirrje“.

Kardinali paralajmëroi kundër rrezikut të simulimit artificial të marrëdhënieve në chatbot-et afektivë, deepfakes dhe në ambientet dixhitale të ndërtuara rreth profilizimit të personalizuar, në gjendje të ndryshojnë edhe “vetë gramatikën e takimeve njerëzore”. Por theksoi edhe nevojën e edukimit për të dalluar të mirën nga e keqja: “Sfida para nesh nuk është të ndalojmë inovacionin dixhital, por ta orientojmë atë“, në përputhje me ftesën e Papës për të krijuar një aleancë kritike dhe të përgjegjshme me teknologjinë.

spot_img

Latest articles

Related articles