Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë deklarata të forta në emisionin Now në Euronews Albania, ku ka folur për gjendjen e Partisë Socialiste dhe krizën kushtetuese në vend. Manjani e sheh PS-në si një parti ku nuk ka përplasje të hapura, por vetëm “luftë pas krahëve”. Ai e përdor figurën e shpikur të një deputeti si metaforë për lojërat e brendshme, ku njerëzit i sulmojnë njëri-tjetrit me letra anonime. Sipas tij, socialistët nuk kanë “takat” për të përballuar hapur njëri-tjetrin.
“Debati në Partinë Socialiste është i përjetshëm dhe ata nuk bëjnë debat të hapur. Nuk zihen kështu si zihen burrat. Është gjithmonë luftë pas krahëve. Partia Socialiste, grupi parlamentar që ia kemi veshur Belindës, por nuk është e vërtetë, ka shpikur Nesti Angonin. Është deputet ai Nesti Angoni. Sot e kësaj dite, dyshimi im i arsyeshëm më ka çuar të mendoj ta besoj, bazuar edhe në fakte, por që nuk jam i autorizuar t’i them tani, është që Nesti Angoni është gjallë dhe i fuqishëm. Kanë shpikur Nesti Angonin pra për t’ia futur njëri-tjetrit pas krahëve me letra anonime. Kjo është beteja, ky është muhabeti. Kjo po ndodh aty dhe ajo që është shqetësuese nuk është problemi se kush ia fut kujt, sepse ata s’ia fusin askujt. Nuk kanë takat as me fut, as me ia nxjerrë njeriut atë.”– u shpreh Manjani



