Në emisionin “Drejt” në Ora News, u intervistua eksperti i teknologjisë së informacionit Gent Progni, i cili ka deklaruar se ka qenë ndër të parët që ka denoncuar në SPAK çështjen e njohur si skandali i të dhënave të patronazhistëve dhe pretendimet për përdorimin e databazave shtetërore për qëllime politike.
Ai foli për mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar një sistem i gjerë të dhënash që ka bashkuar informacione nga institucione të ndryshme shtetërore dhe kompani të shërbimeve publike, duke krijuar profile të detajuara të qytetarëve.
“Zanafilla është databaza e patronazhistëve. Ajo është pika zero e gjithë këtij sistemi që më pas u zgjerua dhe u përdor në mënyra të ndryshme.”-tha Progni.
Sipas tij, sistemi ka pasur strukturim të detajuar në nivele territoriale dhe zgjedhore, duke përfshirë të dhëna deri në qendra votimi, çka sipas tij e bënte të mundur analizimin dhe ndikimin në sjelljen elektorale.
“Sistemi ishte i ndërtuar deri në nivel qendrash votimi dhe mund të analizonte edhe rezultatin e mundshëm në zona të caktuara.”-shtoi ai.
Në rrëfimin e tij, ai ka përmendur se databaza përfshinte të dhëna nga Gjendja Civile, kompanitë e identifikimit, faturat e shërbimeve publike, si dhe informacione të tjera administrative, të cilat sipas tij janë kombinuar në një sistem të vetëm.
Ai ka ngritur gjithashtu pretendimin se pjesë të këtyre të dhënave kanë qarkulluar në hapësira të paligjshme online, duke përmendur edhe “deep web”, si dhe individë të lidhur me administrimin e sistemeve teknike.
Progni ka deklaruar se këto çështje i ka adresuar në SPAK dhe se disponon materiale që sipas tij provojnë mënyrën e funksionimit të këtij sistemi.
FJALA E PLOTË E PROGNIT:
Tani, zanafilla është databaza e famshme e patronazhistëve. Ajo është, ne themi “zero, zero-day exploit”. Pra, dita e parë e një virusi. Kështu quhet në terma teknikë.
Ja t’ua shpjegoj unë, se e di historinë për fat të mirë në themel, por shyqyr erdhi dita që ta diskutojmë.
Ishin dy grupime të ndryshme në PS që po bënin dy databaza të ndryshme për të njëjtën gjë. Në fillim është quajtur “Kulla e Rojës”, ky sistemi i patronazhimit.
Do ta shpjegoj me detaje, sepse kur nuk merren detajet e mira dhe nuk shihen emrat e përveçëm të njerëzve që kanë punuar brenda AKSHI-t, kush ka dhënë urdhër, si është bërë ajo databazë, nga ka dalë e të tjera, kjo pastaj bëhet vetëm koment.
Kur doli databaza, nuk merreshin njerëzit me daljen e të dhënave personale, por merreshin me komentet e patronazhistëve: “ky e ka nusen e bukur”, “i shkova atje”, dhe u bë pastaj gallatë.
Ja, do ta shpjegoj teknikisht.
Kjo është ndërtuar nga një grup prej pesë vetash, punonjës të AKSHI-t, të cilët kanë marrë databazën e Gjendjes Civile, databazën e kompanisë ALEAT, që atëherë krijonte pasaportat dhe kartat e identitetit, dhe e kanë përpunuar bashkë me databaza të tjera, si pagesat e faturave të dritave, ujit, policisë, gjobat, të dhënat e legalizimeve e të tjera.
Pra, pothuajse të gjitha databazat e mundshme.
Për ironi të fatit, unë rastësisht e kam parë këtë databazë në një kompjuter të një IT-je në OSHE, në CEZ apo si quhej atëherë, nuk e di. Shkruaje një emër dhe të dilte gjithë pema familjare: kushërinj, teze, dajë, xhaxha, ku punonin, çfarë merrnin, a kishin legalizim apo jo.
Por atëherë ishte shumë herët dhe e kalova si diçka pa rëndësi. Më pas, kur shpërtheu, po ju jap një informacion që nuk i është dhënë rëndësi asnjëherë.
Databaza e Gjendjes Civile prej 4.3 milionë të dhënash të shqiptarëve në atë kohë shitej në “deep web”. Deep web është interneti i fshehtë ose underground.
Unë atëherë e kam pas blerë databazën. Madje, sot kur po vija në emision, thashë t’i kontrolloj edhe njëherë informacionet, dhe gjeneruesi i asaj databaze me 4.3 milionë të dhëna ishte Daniel Shima. Excel-i ishte nxjerrë nga një kompjuter i Daniel Shimës, që ka qenë nëndrejtor i AKSHI-t.
Pra, që në atë kohë këta njerëz e kanë pasur të gjithë sistemin e mbledhur të të dhënave për të krijuar këtë databazë.
Unë po flas kur u krijua kjo, po flas për origjinën.
Dhe kjo databazë, për shembull ajo që doli në publik, me 980 mijë të dhëna për Tiranën, sistemi kishte “MD databaza”. Çdo qark kishte MD databazën e vet.
Pra, rrjedhja e një MD databaze të Tiranës vërteton atë që ne e kemi ditur, që ishte e gjithë Shqipëria: MD Tirana, MD Saranda, MD Gjirokastra e kështu me radhë.
Ka qenë në nivel qarku, por edhe deri në qendër votimi.
Mbaj mend një histori kur kisha një takim me Lulzim Bashën, për t’i shpjeguar sa e rëndë ishte kjo situatë, si IT dhe si qytetar që e shihte politikën si zgjedhje.
I kam çuar këto të dhëna me detaje. Për shembull, lëvizeshin njerëzit nga një qendër votimi në tjetrën, duke ndryshuar banimin për të ndikuar votën.
Kjo databazë ishte aq e detajuar sa mund të vendosje qendrën e votimit dhe të nxirrte probabilitetin e rezultatit në atë zonë.
Dhe për të rregulluar këtë përqindje, lëviznin dhe zhvendosnin votuesit.
Mbaj mend që 10 minuta pasi dola nga takimi, më ra një telefonatë anonime që më pyeti pse e kisha takuar dhe pse kisha ndarë ato të dhëna. Atëherë mbeta i habitur.



