Asnjë objekt nuk u lejua në avionin presidencial, amerikanët hodhën në kosh dhuratat e udhëheqësve kinezë

spot_img
Advertisements

Një veprim i pazakontë dhe simbolik nga delegacioni amerikan në Kinë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pasi zyrtarët e SHBA-ve raportohet se hodhën në kosh çdo send të marrë nga autoritetet kineze, përpara se të largoheshin nga Pekini me avionin presidencial Air Force One.

Sipas burimeve të afërta me udhëtimin diplomatik, menjëherë para hipjes në avion, pjesëtarët e delegacionit amerikan grumbulluan të gjitha dhuratat, stemat, kartat përkujtimore dhe çdo objekt tjetër të dhënë nga pala kineze gjatë vizitës dhe i lanë në një kosh mbeturinash në aeroport.

Asnjë objekt me origjinë kineze nuk u lejua të transportohej në avionin presidencial.

Ky veprim konsiderohet pjesë e protokolleve ekstreme të sigurisë që përdoren nga SHBA-të gjatë vizitave në vende që konsiderohen rivale strategjike ose me rrezik të lartë për spiunazh teknologjik. Burimet bëjnë të ditur se delegacioni kishte marrë masa të rrepta sigurie, që para nisjes për në Kinë.

Zyrtarët amerikanë kishin lënë në SHBA telefonat personalë, laptopët dhe pajisjet e tyre elektronike të zakonshme. Gjatë gjithë qëndrimit në Pekin ata përdorën vetëm telefona të përkohshëm të quajtur “burner phones”, pajisje që përdoren zakonisht nga agjencitë e sigurisë dhe diplomatët për të shmangur përgjimet, monitorimet kibernetike ose instalimin e programeve të spiunazhit.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se edhe objektet e zakonshme si stilolapsat, karikuesit, kartat elektronike apo suveniret mund të përdoren për vendosjen e mikroçipave ose pajisjeve të fshehta të përgjimit. Për këtë arsye, shumë delegacione të nivelit të lartë ndjekin rregulla strikte gjatë vizitave në vende me të cilat ekziston rivalitet politik ose ushtarak.

Ngjarja pasqyron nivelin e lartë të tensioneve dhe mosbesimit mes Uashingtonit dhe Pekinit, sidomos në një kohë kur marrëdhëniet mes dy superfuqive janë të tensionuara për çështje si inteligjenca artificiale, teknologjia, Tajvani, siguria kibernetike, tregtia dhe ndikimi global.

Në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, veprimi i delegacionit amerikan është komentuar gjerësisht. Disa e kanë cilësuar si masë normale sigurie, ndërsa të tjerë e kanë parë si një sinjal të fortë politik që tregon se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kinës vazhdojnë të mbeten të ftohta dhe të mbushura me dyshime.

spot_img

Latest articles

Related articles