Një grua në Etiopi ka sjellë në jetë pesënjakë, pas 12 vitesh përpjekjesh për të pasur një fëmijë.
Bedriya Adem, 35 vjeçe, lindi katër djem dhe një vajzë, raporton BBC.
Sipas mjekëve, foshnjat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Jam e lumtur në një mënyrë që nuk mund ta përshkruaj me fjalë”, tha nëna për BBC, duke treguar se për vite me radhë kishte kaluar periudha të vështira emocionale për shkak se nuk mund të bëhej nënë.
Drejtori i spitalit, Dr. Mohammed Nur Abdulahi, bëri të ditur se lindja u krye me operacion cezarian dhe se nëna me foshnjat vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Secili prej të porsalindurve peshon mes 1.3 dhe 1.4 kilogramë, ndërsa mjekët shprehen optimistë për shëndetin e tyre.
Sipas spitalit, shtatzënia ishte natyrale dhe nuk ishte përdorur fertilizimi in vitro (IVF).
Fillimisht, Bedriya ishte informuar se priste katër foshnja, por gjatë lindjes rezultoi se kishte edhe një të pestë.
“U luta vetëm për një fëmijë, ndërsa Zoti më dha pesë”, tha ajo.
Bedriya tregoi se për shumë vite ishte përballur me presion psikologjik dhe emocional nga komuniteti për shkak se nuk kishte fëmijë.
“Kam kaluar 12 vite në dhimbje dhe lutje të vazhdueshme. Tani ndjej se gjithçka ka ndryshuar”, u shpreh ajo.
Familja merret me bujqësi dhe nëna e re tha se ende nuk e di si do të përballojë financiarisht rritjen e pesë foshnjave, por beson se do të ketë mbështetjen e komunitetit dhe autoriteteve.
Pesë foshnjat janë pagëzuar me emrat Naif, Ammar, Munzir, Nazira dhe Ansar.



