Hetimi skandaloz për vdekjen e Xhuana Nikollajt. 25-vjeçarja u vra apo u vetëvra? Të vërtetat e të pathënat

spot_img
Advertisements

nga Igli Çelmeta

Të dielën bëhen 2 muaj që Xhuana u nda tragjikisht nga jeta dhe ende nuk është bërë drejtësi. Autori dhe bashkëpunëtorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje janë ende të lirë, ndërsa familja e saj vazhdon të kërkojë përgjigje mes heshtjes së institucioneve. Kjo ngjarje nuk mund të trajtohet si një rast i zakonshëm dhe as të mbyllet me nxitim. Përveç ish-bashkëshortit të Xhuanës, Eraldo Fizi, dyshimet janë se ka edhe persona të tjerë që dinë më shumë apo kanë pasur rol në atë që ndodhi. Por Komisariati Nr. 2 duket se e neglizhoi ngjarjen dhe nuk kreu një hetim serioz për zbardhjen e plotë të së vërtetës, edhe pse provat dhe dyshimet kanë qenë aty që në fillim.

Telefoni i Xhuanës ende nuk është hapur dhe këqyrur plotësisht, ndërsa telefoni i shoqes së saj, me të cilën ndante dhomën, nuk është sekuestruar fare. Shoqja ka dhënë vetëm një deklaratë në spital dhe më pas nuk është marrë më në pyetje nga policia apo prokuroria. Refuzimi i saj për të takuar familjarët e Xhuanës ngre edhe më shumë dyshime se ajo di dhe fsheh shumë lidhur me ngjarjen. Madje, ajo nuk mori pjesë as në varrim. Sipas informacioneve nga të afërm të Xhuanës, shoqja insistonte vazhdimisht që ajo të takonte Eraldon. Ajo e telefononte Xhuanën sa herë kjo e fundit ishte tek motrat, duke i kërkuar të takohej me të. Motrat kanë qenë në dijeni se Eraldo kërkonte vazhdimisht ta takonte Xhuanën.

Pas ngjarjes së rëndë, policia ushtroi kontroll në banesë, por deklaroi se nuk gjeti fostoksinë. Dy ditë më pas, familjarët, kur shkuan të merrnin rrobat e Xhuanës, gjetën fostoksinën pranë sendeve të saj dhe lajmëruan policinë, e cila u rikthye sërish në banesë. Pyetja që kërkon përgjigje është e rëndë: si nuk u pa fostoksina gjatë kontrollit të parë? A ishte aty dhe policia nuk e konstatoi, apo u vendos më pas për të krijuar idenë se Xhuana u vetëhelmua? Pikërisht këto dyshime duhet të zbardhte hetimi, por deri tani duket se askush nuk ka dashur të shkojë deri në fund të së vërtetës. Kush e bleu fostoksinën? Kush e solli atë në banesë? Pse nuk janë dhënë ende përgjigje? Xhuana e konsumoi vetë fostoksinën apo e detyruan dhe ia dhanë ta pinte? Të gjitha këto pyetje duan përgjigje.

Autopsia ka treguar se Xhuana kishte shenja dhune në trup, të dukshme edhe në fotot që disponon familja. Sipas informacioneve, natën e ngjarjes Eraldo Fizi, pasi e mori Xhuanën, e çoi në Shëngjin, ku dyshohet se e dhunoi në makinë. Më pas janë kthyer sërish në Tiranë. Madje, makina e Eraldo Fizit, natën e krimit, rreth orës 03:00, është gjobitur për tejkalim shpejtësie nga policia pranë ish-sheshit “Shqiponja”. Pas kësaj, ai e ka çuar Xhuanën në banesën ku ajo jetonte me qira me shoqen e saj.

Ky krim vazhdon të jetë i mbushur me enigma dhe pikëpyetje të rënda. Nëse Policia e Shtetit ka vërtet vullnet për ta zbardhur këtë ngjarje, duhet të rinisë hetimet seriozisht, të marrë sërish në pyetje personat që kanë dijeni apo dyshohet se janë të përfshirë, si dhe të verifikojë çdo veprim të kryer nga Komisariati Nr. 2. Deri tani, duket sikur kjo çështje nuk është hetuar me profesionalizëm, por është anashkaluar në mënyrë të pajustifikueshme. Policia e Shtetit e la të vetme Policinë e Lezhës në kërkimet për të kapur Eraldo Fizin, ai nuk është El Chapo që qenka kaq i vështirë të arrestohet, nëse Policia e Shtetit angazhohet e gjitha për ta arrestuar ai do të kapet shumë shpejt, kërkimet nuk duhet të bëhen vetëm në Lezhë.

Ndërkohë, familja e Xhuanës vazhdon të endet dyerve të policisë dhe prokurorisë pa marrë asnjë informacion të qartë. Ata po përballen çdo ditë me dhimbjen e humbjes së vajzës së tyre dhe me heshtjen e institucioneve që duhet të jepnin drejtësi. Është e pafalshme që pas dy muajsh ende nuk ka përgjegjësi, ende nuk ka transparencë dhe ende nuk ka arrestime. Drejtësia nuk mund të flejë gjumë përballë një ngjarjeje kaq të rëndë. Heshtja e policisë dhe prokurorisë vetëm sa shton dyshimet se kjo çështje po lihet të zvarritet, ndërsa familja kërkon vetëm një gjë, të dalë e vërteta dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

spot_img

Latest articles

Related articles