Ka përfunduar pas thuajse katër orësh mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.
Në këtë mbledhje raportuan Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, të cilët bënë një përmbledhje mbi ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian.
Po ashtu, u diskutua edhe Kapitulli 24: “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, i konsideruar si një ndër më të rëndësishmit në këtë proces.
Ndërkohë janë zbardhur edhe porositë e Ramës për deputetët socialistë, ku iu ka kërkuar që të jenë sa më të pranishëm në terren, për të bashkëpunuar me pushtetin lokal në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Një ndër pikat e tjera që është ndalur Rama, ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas mediave, kryeministri ka thënë se procesi po ecën shumë shpejt, ndaj deputetët duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët, sidomos me biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka konsideruar si sfidën kryesore.
Kjo mbledhje vjen në një kohë kur qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.



