“40 hetues të rinj do të bëhen pjesë e BKH-së”. Kështu deklaroi sot kreu i SPAK-ut, Klodian Braho gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por njëri nga anëtarët e KLP-së, e pyeti Brahon se përse gjatë vitit 2025, ka pasur më shumë të arratisur sesa të arrestuar në totalin e urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK-u? Shefi i prokurorisë u përgjigj duke deklaruar se SPAK nuk ka strukturë që t’i ekzekutojë vetë masat, duke ia lënë ‘topin’ policisë. “SPAK nuk ka struktura që bëjën ekzekutimin e masave të sigurimit, e bën policia dhe agjencitë e tjera” tha ai.
Sipas Brahos, gjatë vitit 2025 politika penale është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe nevojës, ku masa e “arrestit në burg” është trajtuar si mjeti i fundit i sigurimit personal.
“Përsa i përket masave të sigurimit një vend qendror, në veprimtarinë tonë, përsa i përket politikave penale, nëpërmjet masave të sigurimit, politika penale gjatë vitit 2025, është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe i nevojës duke i konsideruar ‘Arrestin në burg’ si mjetin e fundit të sigurimit personal, kështu krahasuar me vitin 2024, masa e arrestit me burg, ka pësuar rënie si në vlerë absolute me rreth 53.4 % nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste në vitin 2025. Për veprat penale të korrupsionit është zbatuar masa e sigurisë arrest me burg vetëm për 15 persona të arrestuar dhe 5 të tjerë në mungesë” tha Braho.



