Forcat speciale të Policisë italianë kanë kryer bastisje mëngjesin e sotëm, si pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Romës ndaj të ashtuquajturit “Squadra Fiore”, një grup i dyshuar paraushtarak i përbërë nga ish-oficerë të forcave të sigurisë, të akuzuar për mbikëqyrje të paligjshme.
Hetimi përfshin akuza për akses të paautorizuar në sisteme informatike dhe shkelje të privatësisë, ndërsa një pjesë tjetër e dosjes lidhet me mashtrim dhe përvetësim të dyshuar nga ish-zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës.
Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere della Sera, hetimet po zhvillohen në dy drejtime kryesore. E para lidhet me një rrjet kontratash të Shërbimit të Brendshëm Italian të Inteligjencës dhe Sigurisë AISI, të cilat dyshohet se i janë dhënë një kompanie private në periudhën 2022–2024, me vlerë mbi 39 milionë euro, për teknologji mbikëqyrjeje, përfshirë sisteme bllokimi sinjalesh, softuer njohjeje fytyre dhe infrastrukturë video-monitorimi.
Drejtimi i dytë i hetimit lidhet me aktivitet të dyshuar spiunazhi të paligjshëm të atribuar “Squadra Fiore”, ku përfshihen edhe ish-zëvendësdrejtori i shërbimit të sigurisë Giuseppe Del Deo, një haker i lidhur me kompani spiunazhi dhe bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar.
Del Deo, i cili është larguar nga detyra në prill 2025, po hetohet për përvetësim, në një çështje që përfshin rreth 5 milionë euro kontrata të lidhura me një kompani biometrike dhe teknologjie njohjeje fytyre.
Në total, hetimi i nisur për ngjarje që nga viti 2022 përfshin shtatë persona, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin e dyshuar të aktivitetit të paligjshëm.



