Autoritetet kanë ndërmarrë sot një aksion të gjerë në IEVP Peqin.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.
Kontrolli i befasishëm është ushtruar nga forcat operacionale dhe speciale të Policisë së Burgjeve, të mbështetura nga strukturat e sigurisë së disa IEVP-ve në rang vendi, përfshirë Fierin, Vlorën, Korçën, Beratin, Rrogozhinën, Elbasanin, “Jordan Misja”, Shkodrën, Burrelin, Fushë-Krujën dhe Durrësin.
Redaksia mëson se në këtë operacion janë përdorur mjete të avancuara teknologjike si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen anti-drogë dhe skanerë, me qëllim evidentimin e çdo sendi të ndaluar brenda ambienteve të institucionit.
Gjatë operacionit janë konstatuar dhe sekuestruar një sërë sendesh të ndaluara, përfshirë mjete të improvizuara prerëse, kabuj dhe materiale të tjera të palejuara, si dhe janë evidentuar qarqe të modifikuara elektrike.
Në një rast është zbuluar edhe një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur procedurat përkatëse ligjore.
Në kuadër të këtij aksioni, autoritetet kanë realizuar edhe transferimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë për sigurinë në institucion.



